Seanca paraprake për vrasjen e Martin Canit është shtyrë. I akuzuari për këtë krim është bashkëmoshatari i viktimës, Mario Përlleshaj, i cili akuzohet gjithashtu për plagosjen e një tjetër adoleshenti, shokut të Martinit, Luis Meçe.
Pas shtyrjes së seancës paraprake, ka folur nëna e Martin Canit, e cila ka theksuar dëshirën për drejtësi. Ajo ka shprehur se dëshiron që shteti të bëjë atë që është e drejtë dhe se seanca të mbahet me dyer të hapura. "Dua që drejtësia të vendoset në vend. Unë flas si nënë, dua dhe do luftoj për drejtësi," ka thënë nëna e 14-vjeçarit të ndjerë.
Gjithashtu, Florina Cani, nëna e Martin Canit, ka shprehur dëshirën që djali i saj të bëhet simbol, për të parandaluar që ngjarje të tilla të ndodhin përsëri.
Mario Përlleshaj është i akuzuar për kryerjen e veprës penale "Vrasje në rrethana cilësuese" ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave.
Ngjarja tragjike ka ndodhur më 18 nëntor në Tiranë, vetëm disa metra larg shkollës "Fan Noli".