Glediani s’i trembet burgut, i jep babait leje për ndërtim pallati

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 10.03.2025, 14:44

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, është përfshirë në një skandal të madh pas miratimit të një leje ndërtimi për kompleksin "Arena", një investim qindra mijëra eurosh. Ky projekt po realizohet nga kompanitë Togli Konstruksion dhe Dika 2011, me pronarë Rexhep Jolla dhe Mario Dika. Por, një prej përfituesve të këtij investimi është edhe Iljaz Llatja, babai i kryebashkiakut Gledian Llatja.

Si u miratua leja?

Miratimi i lejes për ndërtimin e kompleksit "Arena" për babanë e tij, duket se ka ngjallur dyshime të forta për ndikim të drejtpërdrejtë të Gledian Llatjas në vendimarrje. Disa persona dyshojnë se ai mund të jetë pronari kryesor i projektit, me kompanitë dhe pronarët e tjerë si kamuflim për të fshehur pasurinë e vërtetë. Ky veprim vjen në një kohë kur SPAK po intensifikon hetimet ndaj kryebashkiakëve, ish-ministrave dhe drejtuesve të tjerë, duke i futur ata pas hekurave për abuzime dhe korrupsion.

Skema e tenderave të dyshimtë!

Një tjetër aspekt shqetësues janë tenderat e Bashkisë Elbasan, të cilat janë përfshirë në skema të dyshimta. Gledian Llatja ka ruajtur lidhjet me biznesmenë të dyshimtë, disa prej të cilëve janë anëtarë të organizatave kriminale. Fillimisht, Llatja ka lejuar nënkryetaren e bashkisë, Aulona Bylykbashi, të firmoste tenderat për klientelën e tij, por pas frikës nga hetimet, ajo është tërhequr dhe Llatja ka transferuar këtë detyrë te nënkryetari tjetër, Asim Sula. Sula ka firmosur tendera të dyshimtë për biznesmenë të lidhur ngushtë me grupet kriminale, duke përfshirë një tender me vlerë 650 mijë euro për Nuri Ballën, një person me lidhje me një deputet të fuqishëm.

Eral Myftaraj dhe Luan Tabaku në fokus

Një tjetër emër i përfolur në këtë histori është Eral Myftaraj, një biznesmen që ka përfituar miliona euro tendera në Qarkun e Elbasanit, duke përdorur metoda të tilla si mashtrimi dhe ryshfeti. Ai ka marrë 45 milionë euro tendera me kompaninë Meteo dhe 10 milionë euro me AL-MEXWOOD. Myftaraj është i njohur për manipulimin e kontratave dhe për përfitimet që ka siguruar duke përdorur lidhje me deputetë, ish-ministrat dhe drejtorë të institucioneve.

Drejtori i Ujësjellësit në Elbasan, Luan Tabaku, ka firmosur një tender të dyshimtë prej 2.3 milionë euro për Eral Myftaraj, duke e përfshirë atë në një rreth të mbyllur klientelist.

Bashkia Elbasan e kapur nga grupet kriminale?

Disa hetime të SPAK kanë zbuluar lidhje të ngushta mes drejtuesve të Bashkisë Elbasan dhe grupeve kriminale, përfshirë Suela Çela, një emër i njohur në botën e krimit. Gledian Llatja dhe Aulona Bylykbashi janë akuzuar për lidhje me këtë grup dhe për firmosjen e tenderave në favor të tij. Në një rast, Bylykbashi ka firmosur një tender për pastrimin e qytetit me vlerë 600 mijë euro për kompaninë Viola Green, e cila është e lidhur me Bujar Shegën, i cili ka qenë i arrestuar në Itali për lidhje me trafikun e drogës.

Çfarë thuhet në dosjet e SPAK?

Sipas dosjeve të SPAK, Bujar Shega, pronari i kompanisë Viola Green, ka përfituar miliona euro tendera nga Bashkia Elbasan dhe bashkitë e tjera. Ai është identifikuar si financues i organizatave kriminale dhe ka pastruar para nga trafikimi i kokainës. Po ashtu, Gentian Sharra, një tjetër emër i përfolur për lidhje me grupin e Talo Çelës, ka përfituar tendera të shumtë në emër të gruas së tij, Olta Sharra.

Ky skandal korrupsioni dhe lidhjet e ngushta mes grupeve kriminale dhe administratës publike në Elbasan ngre alarmin për një problem të madh që kërkon hetim të thelluar dhe veprime të menjëhershme nga autoritetet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit