Shqipëria ka nivelin më të lartë të konsumit të kokainës në Europë, me 41% të përdoruesve që e kanë konsumuar, shumë më lart se mesatarja e Ballkanit Perëndimor (21%) dhe BE-së (29%), sipas sondazhit të Agjencisë së Drogave të Bashkimit Europian (EUDA). Anketa, e zhvilluar midis majit dhe korrikut 2024, përfshiu mbi 66,000 persona nga 31 vende, duke përfshirë 4,442 nga Ballkani Perëndimor.
Kanabisi mbetet droga më e konsumuar në Shqipëri (56%), e ndjekur nga kokaina (41%), ndërsa në rajon droga e dytë më e përdorur janë benzodiazepinat pa recetë (22%). MDMA/Ecstasy dhe kërpudhat psikedelike renditen të tretat dhe të katërtat në Shqipëri.
Kokaina përdoret kryesisht në bare (75%) dhe shtëpi (69%), ndërsa arsyeja kryesore e konsumit është argëtimi (58%), reduktimi i efekteve të alkoolit (39%) dhe çlirimi nga stresi (31%). Kanabisi konsumohet më së shumti në natyrë (67%) dhe shtëpi (61%), me qëllim reduktimin e stresit (70%) dhe përmirësimin e gjumit (43%).
Përdorimi i drogës është i pranishëm edhe në shkolla dhe punë: 17% e përdoruesve shqiptarë raportojnë se konsumojnë kanabis në shkollë dhe 11% në punë, ndërsa 20% e konsumatorëve të kokainës pluhur e përdorin në vendin e punës.
Shqiptarët shpesh kombinojnë substancat: 70% përdorin kanabis me cigare, 46% me alkool, ndërsa 83% e përdoruesve të kokainës e shoqërojnë atë me alkool dhe nikotinë. Droga blihet kryesisht nga miqtë ose përmes kontakteve direkte.