Një qytetar nga Laknasi ka denoncuar mungesën e energjisë elektrike në këtë zonë që prej orës 18:00, ndërkohë që OSHEE nuk i është përgjigjur thirrjeve të tij të vazhdueshme.
Sipas qytetarit, fillimisht një operator i OSHEE i është përgjigjur duke i thënë se do ta verifikonin situatën, por më pas nuk ka marrë më asnjë përgjigje, pavarësisht përpjekjeve të tij të shumta për t’i kontaktuar.
Ai ka dërguar edhe një foto që tregon numrin e madh të telefonatave drejt OSHEE, si dhe faturën e energjisë për muajin janar, ku rezulton se ka paguar plot 265 mijë lekë të vjetra.
Më poshtë, denoncimi i plotë i qytetarit:
"Mirëmbrëma JOQ. Doja të bëja një denoncim për OSHEE. Kemi që në orën 18:00 pa drita në zonën e Laknasit. Mora në telefon OSHEE-n, më përgjigjën një herë dhe më thanë që s’ka mundësi të jemi pa drita, do ta verifikojmë dhe do ju marrim. Por asnjë përgjigje nuk mora më. I mora sërish disa herë në telefon dhe asnjë nuk përgjigjet. Po ju dërgoj edhe me foto sa herë i kam marrë. Njërin nga numrat e kanë fikur, ndërsa tjetri del i zënë. Faleminderit nëse e postoni. Mirëmbrëma, jo vetëm që e kanë bërë shpesh, por është e frikshme. Nëse ma ka shpifur diçka në këtë zonë, është energjia elektrike! Dhe paguajmë nga 265 mijë lekë në muaj."
Mungesat e energjisë nuk janë një fenomen i ri në këtë zonë. Shumë banorë të Laknasit janë ankuar vazhdimisht në redaksinë tonë për ndërprerjet e shpeshta, të cilat po kthehen në një problem serioz. Megjithatë, institucionet përgjegjëse vazhdojnë të heshtin.
Ku është OSHEE dhe ministrja Belinda Balluku? Deri kur banorët e Laknasit do të përballen me këtë shërbim skandaloz nga OSHEE?!