Vezët e markës “Rea’s”, të ndaluara nga data 3 mars për shkak të shpërthimit të gripit të shpendëve (H5N1), vijojnë të jenë në treg. Në një nga pikat e marketeve “Xhangolli” në Tiranë, është konstatuar se këto vezë ende shiten, pavarësisht masave të shpallura nga Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Në paketimin e tyre figuron data e prodhimit 18 shkurt 2025 dhe afati i përdorimit deri më 18 mars.
Ferma “Rea’s” u vendos në karantinë më 3 mars, dhe pas konfirmimit të infeksionit u ndalua edhe importi i shpendëve të gjalla nga disa shtete evropiane. Aktualisht, autoritetet po punojnë për tërheqjen e vezëve nga tregu, por procesi ende nuk është përfunduar. Për të parandaluar përhapjen e virusit, 69 mijë shpendë të fermës do të asgjësohen.
Ndërkohë, 250 mijë vezë të fermës janë bllokuar dhe pritet të asgjësohen. Autoritetet po shqyrtojnë mënyrën e eliminimit të shpendëve të infektuar, duke marrë parasysh groposjen ose djegien e tyre, ndërsa presin miratimin e institucioneve përkatëse, përfshirë Bashkinë Durrës dhe autoritetet mjedisore.