Ndotja akustike në Tiranë mbetet një shqetësim serioz, veçanërisht në zonat me trafik të lartë dhe aktivitete intensive, ku nivelet e zhurmës shpesh tejkalojnë kufijtë e rekomanduar për një mjedis të shëndetshëm.
Sipas raportit vjetor “Cilësia e ajrit dhe ndotja akustike”, të hartuar nga Co-PLAN me mbështetje nga qeveria suedeze, monitorimi u krye në 13 stacione përgjatë unazës së vogël të Tiranës nga gushti deri në dhjetor 2024. Ndër zonat më problematike u identifikuan Pazari i Ri, Sheshi Italia dhe Rruga e Kavajës, ku matjet treguan nivele të larta të ndotjes akustike. Për shembull, Sheshi Italia arriti deri në 72.2 dB, ndërsa Treni dhe Pazari i Ri shënuan nivele mbi 66 dB në disa raunde matjesh.
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ndotjes akustike mund të shkaktojë stres, lodhje kronike, probleme me përqendrimin dhe çrregullime të gjumit. Për të minimizuar ndikimet negative, raporti rekomandon shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, mbjelljen e bimësive autoktone dhe zhvillimin e gjelbërimit vertikal për të absorbuar ndotësit dhe përmirësuar cilësinë e mjedisit urban.