Banorët e Rrugës 5 Maji, vetëm 1.5 km larg qendrës së Tiranës, po përballen me një situatë të rrezikshme për shëndetin dhe sigurinë e tyre.
Ata denoncojnë një krim mjedisor që sipas tyre po shkaktohet nga një lavazh, i cili shkarkon ujin e ndotur jo në kanalizim, por direkt në një gropë mes pallateve.
Për pasojë, toka është mbushur plot me ujë të ndenjur, duke krijuar kushte shumë të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin e banorëve. Ata thonë se ka prekur themelet e pallateve dhe është bërë një burim infeksionesh dhe sëmundjesh.
Në këtë zonë, veç mushkonjave, kanë filluar të dalin edhe gjarpërinj dhe minj, që përbëjnë një rrezik real për banorët dhe sigurinë e shtëpive të tyre.
Banorët kanë kërkuar ndihmë nga bashkia, policia dhe institucionet përkatëse, por janë përballur me një indiferencë të plotë. Bashkia ka deklaruar se kjo është pronë private dhe nuk mund të ndërhyjë, ndërkohë që autoritetet e higjienës nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.
Ndërkohë, rreziku i përhapjes së sëmundjeve si kolera është real, veçanërisht gjatë verës, kur uji i ndotur mund të përhapë më shumë infeksione.
Banorët kanë tentuar të pastrojnë ferrat dhe mbeturinat vetë, por me ujërat e ndotura që derdhen vazhdimisht nga lavazhi dhe nuk mund të bëjnë më asgjë për të parandaluar këtë situatë alarmante.