Studimi i ri: Truri i grave mund të plaket më ngadalë se ai i burrave

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.03.2025, 22:47

Një studim i fundit nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko (UCSF) sugjeron se truri i grave mund të jetë më i përshtatur për t’u përballur me plakjen krahasuar me atë të burrave.

Sipas studiuesve, gratë zakonisht kanë një tru që duket më i ri në procesin e plakjes dhe shkencëtarët besojnë se arsyeja mund të jetë kromozomi i tyre i dytë X. Deri më tani, mendohej se kromozomi i dytë X nuk kishte një rol domethënës, por studimi i ri ka treguar se ai mund të “zgjohet” në pleqëri dhe të ndihmojë në ngadalësimin e rënies kognitive.

“Në procesin e zakonshëm të plakjes, gratë kanë një tru që duket më i ri, me më pak deficite kognitive në krahasim me burrat,” tha Dena Dubal, profesoreshë e neurologjisë dhe autore kryesore e studimit. “Rezultatet tregojnë se kromozomi X, i cili më parë ishte i heshtur, rizgjohet në pleqëri, ndoshta duke ndihmuar në ngadalësimin e rënies së aftësive mendore.”

Studimi analizoi trurin e një miu femër të modifikuar gjenetikisht, të moshës 20 muajshe – ekuivalente me një 65-vjeçar te njerëzit. Shkencëtarët zbuluan se ky rizgjim i kromozomit X aktivizoi rreth 20 gjene të lidhura me zhvillimin e trurit.

Ekspertët tani synojnë të thellojnë kërkimet për të kuptuar më mirë këtë fenomen dhe për të eksploruar mundësitë e përmirësimit të funksioneve kognitive si te gratë, ashtu edhe te burrat.

“Cilësia e funksioneve mendore është një nga sfidat më të mëdha mjekësore, por këto rezultate tregojnë se truri i plakur nuk është i pandryshueshëm dhe se kromozomi X mund të na mësojë shumë mbi atë që është e mundur,” shtoi Dubal.

Në të ardhmen, studiuesit shpresojnë të zbulojnë nëse ky rizgjim i kromozomit X mund të luajë një rol edhe në sëmundje të tjera, si ato kardiovaskulare dhe kanceret, duke hapur rrugën për trajtime të reja që mund të përfitojnë të gjithë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit