Megjithëse kjo ide përsëritet shpesh në mediat e mëdha dhe është retorika kryesore nxitëse për shumë politika botërore ekonomike, energjitike, bujqësore e tregtare, një numër në rritje njerëzish mendojnë se është në fakt e rreme.
Refuzimi i duket më i madh në zonat qendrore e jugore të SHBA, të cilat konsiderohen më të distancuara nga ideologjia e pushtetit qendror, shkruan rrjeti britanik The Guardian.
Studimi i Universitetit të Michigan zbuloi se 15% e amerikanëve nuk besojnë se ndryshimet klimatike që trumbetohen shpesh në mediat kryesore, janë të vërteta.
Studiuesit thanë se përdorën inteligjencën artificiale për të analizuar 7.4 milionë komente të postuara në rrjet nga rreth 1.3 milionë njerëz në rrjetin X për një periudhë dy-vjeçare, duke i klasifikuar si “pro” ose “kundër” ndryshimeve klimatike.
“Rreth gjysma e komenteve thjesht mohonin se ndryshimet klimatike ishin të vërteta, pra janë një gënjeshtër”, tha bashkë-autori i studimit Joshua Newell, duke u shprehur “i zhgënjyer” nga rezultati.
Studiuesit shtonin se në SHBA ata që besojnë se ndryshimet klimatike janë të vërteta vijnë kryesisht nga rajonet që votojnë për demokratët, por refuzimi i teorisë së ndryshimeve klimatike po rritej edhe mes tyre.
Në krahinën Shasta në Kaliforni, refuzimi ndryshimeve klimatike arrinte në 52%, por në të gjithë shtetin binte në 12%.
Mediat kryesore thonë se Donald Trump ka qenë një nga figurat më me influencë për shtimin e mohuesve të ndryshimeve klimatike, që kur refuzoi raportin e klimës të konferencës së Parisit në 2018.
Një tjetër studim i universitetit Yale llogarit se në vitin 2023, 16% e amerikanëve nuk besojnë se ndryshimet klimatike janë të vërteta, që do të thotë rreth 50 milionë njerëz.
Studiuesit e njohur të klimës refuzojnë skeptikët duke i quajtur ‘burime dezinformacioni’, ndërsa mohuesit thonë se gënjeshtra e ndryshimeve klimatike është vetëm një vegël e qeverive për të detyruar njerëzit të pranojnë politikat e tyre të energjisë së qëndrueshme, të reduktimit të kafshëve e prodhimit bujqësor, të automjeteve elektrike apo kufizimit të udhëtimit te popullatës.