Evropa po përballet me një realitet të ri dhe të pasigurt, ku garancia e mbështetjes amerikane për NATO-n – aleanca që ka garantuar sigurinë e kontinentit për gati tetë dekada – nuk është më e sigurt. Deklaratat e Presidentit Donald Trump, që shprehin mosbesim ndaj Ukrainës, afrimin e tij me Vladimir Putinin dhe kërcënimin se nuk do të mbrojë aleatët e NATO-s “nëse nuk paguajnë”, kanë ngritur shqetësime të thella mes liderëve evropianë.
Kjo situatë ka bërë që Evropa të përballet me një pyetje që deri pak kohë më parë ishte e paimagjinueshme: A mund të mbetet kontinenti i sigurt pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara?
NATO pa SHBA-në nuk është e pafuqishme, pasi numëron mbi një milion trupa dhe ka pajisje moderne ushtarake nga 31 vendet anëtare. Megjithatë, humbja e mbështetjes amerikane do të krijonte boshllëqe strategjike dhe financiare. Aktualisht, SHBA dhe Gjermania kontribuojnë me gati 16% secila në buxhetin ushtarak të NATO-s, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kontribuojnë me përkatësisht 11% dhe 10%.
Disa ekspertë argumentojnë se Evropa ka burimet për të mbrojtur veten, por nuk ka ende një strategji të qartë dhe unitet politik për ta bërë këtë realitet. “Evropa ka potencialin të krijojë një forcë të fuqishme ushtarake, por çështja kryesore mbetet nëse është e gatshme të marrë këtë hap,” thekson Ben Schreer, drejtor në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS).
Liderët evropianë, si kryeministri polak Donald Tusk, tashmë po shtyjnë për një qasje të re, duke deklaruar se “Evropa është e aftë të fitojë çdo përballje ushtarake, financiare apo ekonomike me Rusinë.” Në teori, një ushtri e fortë evropiane do të ishte e frikshme për kundërshtarët e saj, duke pasur një forcë të konsiderueshme ajrore, tokësore dhe detare.
Megjithatë, pasiguria mbetet e madhe. Në qarqet politike evropiane po shtrohet një pyetje e re: A duhet Evropa të nisë ta shohë SHBA-në si një partner më pak të besueshëm, apo ndoshta edhe si një rival?
Ndërkohë, disa analistë besojnë se kërcënimet e Trump mund të jenë thjesht një taktikë për të detyruar aleatët e NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen. Nëse marrëdhëniet mes Trump dhe Putinit përkeqësohen, ai mund ta kuptojë sërish rëndësinë e NATO-s.
Në këtë klimë pasigurie, e ardhmja e mbrojtjes evropiane varet nga një pyetje thelbësore: A do të zgjedhë Evropa të marrë fatin e saj në duart e veta, apo do të vazhdojë të varet nga vendimet e Shtëpisë së Bardhë?