BBC reportazh për kuzhinën tradicionale shqiptare: Gjyshet që ruajtën recetat e së shkuarës

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 08.03.2025, 14:18

Media prestigjioze britanike BBC i ka kushtuar një reportazh kuzhinës tradicionale shqiptare, duke vënë në pah rolin e gjysheve në ruajtjen dhe përcjelljen e recetave brez pas brezi. Pas dekadash izolimi dhe emigrimi masiv, Shqipëria po i rikthehet rrënjëve të saj kulinare, falë përpjekjeve të këtyre grave të moshuara që vazhdojnë të ndajnë sekretet e gatimit me gjeneratat e reja.

Një nga emrat më të njohur në këtë fushë është Tefta Pajenga, 76 vjeçe, një nga kuzhinieret pensioniste që drejton emisione gatimi në televizionin shqiptar. Në programin e saj, ajo mëson të rinjtë si të përgatisin pjata tradicionale si japrakët, një gatim me gjethe rrushi të mbushura me oriz dhe erëza. Kjo pjatë ka një vend të veçantë në kulturën shqiptare, duke u përgatitur në festa të ndryshme fetare dhe familjare.

Shqipëria ka kaluar dy periudha të vështira që kanë ndikuar në humbjen e traditave kulinare. Nga njëra anë, izolimi komunist (1946-1991) e shkëputi vendin nga bota e jashtme, ndaloi importet, dogji librat e gatimit dhe e kolektivizoi ushqimin, duke lënë shumë familje me mungesa të mëdha ushqimore. Nga ana tjetër, shpërbërja e komunizmit në vitet 1990 solli një valë emigrimi masiv, ku rreth 710,000 shqiptarë u larguan nga vendi, duke humbur shumë nga traditat e tyre nëpër vendet ku u vendosën.

Ironikisht, edhe pas rënies së komunizmit, traditat e gatimit vazhduan të zbehen për shkak të ndryshimit të stilit të jetesës. Pajenga kujton se gjatë regjimit komunist njerëzit kishin orare fikse pune dhe kishin më shumë kohë për të gatuar në shtëpi, ndërsa pas ndryshimeve demokratike, shumë familje u detyruan të punojnë më shumë se një punë, duke pasur gjithnjë e më pak kohë për gatime tradicionale. Kjo e shtyu atë të fillonte një shfaqje televizive më 2004, jo për kuzhinierët profesionistë, por për amvisat dhe të rinjtë që kishin harruar ose nuk e kishin mësuar kurrë si të përgatitnin recetat tradicionale.

Një tjetër emër i rëndësishëm në ringjalljen e kuzhinës shqiptare është Gjyste Bici, 67 vjeçe, e cila mësoi receta shekullore nga gjyshja e saj në Alpet e Veriut. Ajo thekson se, për shkak të izolimit dhe mungesës së literaturës së shkruar, recetat janë përcjellë gojarisht nga një brez në tjetrin. Për shumë familje, ushqimet tradicionale kishin një lidhje të fortë me festat fetare, por gjatë regjimit të Enver Hoxhës, i cili ndaloi fenë në vitin 1967, përgatitja e këtyre gatimeve u bë e rrezikshme.

Dallëndyshe Xhahysa, 91 vjeçe, një tjetër grua që ka luajtur rol në ruajtjen e këtyre recetave, kujton se gjatë diktaturës duhej të gatuanin fshehurazi ushqime si hallva gjatë Ramazanit ose Pashkëve, duke blerë përbërësit me javë përpara dhe duke i përgatitur me dritare dhe perde të mbyllura për të shmangur spiunimin nga fqinjët. Kushdo që kapej duke përgatitur ushqime për festa fetare mund të dënohej me dërgim në kampet e punës.

Mungesa e përbërësve ishte një tjetër faktor që ndikoi në zhdukjen e shumë recetave tradicionale. Sipas Bicit, gjatë komunizmit çdo familje merrte me racion vetëm disa kilogramë patate dhe pak djathë në muaj, ndërsa mbajtja e kafshëve ose e një kopshti të madh ishte e ndaluar. Si pasojë, shumë receta tradicionale si tava e krapit u zhdukën pothuajse plotësisht.

Megjithatë, pas viteve 1990, me hapjen e Shqipërisë dhe zhvillimin e televizionit privat, shumë gjyshe nisën të ndajnë dijet e tyre përmes ekraneve. Gjyste Bici filloi të gatuajë në emisionin "E Diela Shqiptare" në 2007, duke sjellë receta të lashta shqiptare në vëmendjen e publikut. Ajo gjithashtu ka mbledhur këto receta në librin e saj Kuzhina e Shqiptarëve të Alpeve dhe vazhdon të ndajë gatimet tradicionale në emisionin "Histori Shqiptare".

Teknologjia ka ndihmuar gjithashtu në përhapjen e këtyre recetave te të rinjtë. Bici tregon se merr shumë kërkesa në Instagram për receta të vjetra, ndërsa videot e saj në TikTok për lakrorin dhe pjata të tjera tradicionale janë bërë të njohura mes një audience më të re.

Dikur të harruara, gatimet tradicionale shqiptare po gjejnë sërish vend në kuzhinat moderne, falë përpjekjeve të gjysheve si Pajenga, Bici dhe Xhahysa. Në një event të mbajtur në Tiranë në 2018, 12 gjyshe shqiptare u bashkuan me 12 kuzhinierë të njohur, duke krijuar një sensacion të menjëhershëm. Këto gra, që për dekada i ruajtën dhe i përçuan këto receta, po ndihmojnë që tradita të mos harrohet për një herë të tretë.

Ndër shekuj, kuzhina shqiptare ka qenë një pasqyrim i historisë së saj – një përzierje e ndikimeve romake, osmane dhe ballkanike. Pjata si arnavut ciğeri (mëlçi shqiptare), sutlija (puding orizi) dhe ajvari (salcë me speca të pjekur) kanë ardhur nga jashtë, por përbërësit e përdorur në Shqipëri mbeten vendas, si kopra, speci dhe menteja. Disa ushqime indigjene, si mishavina – një djathë i fortë i fermentuar në yndyrë – janë unike për Shqipërinë dhe dëshmi e traditave të vjetra baritore.

Pavarësisht sfidave, gjyshet shqiptare vazhdojnë të jenë kujdestaret e trashëgimisë kulinare të vendit. Ato jo vetëm që rikthejnë recetat e së shkuarës, por edhe i përshtatin ato për brezat e sotëm, duke siguruar që historia e Shqipërisë të vazhdojë të ruhet në shijen e ushqimit të saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit