Pavarësisht ndryshimeve ekonomike e sociale, shqiptarët ende vlerësojnë familjen dhe dëshirojnë më shumë fëmijë se sa realisht lindin. Para gjashtë vitesh, 100 gra shprehën dëshirën për të pasur 250 fëmijë, por në realitet lindën vetëm 121.
Përvoja e vendeve europiane tregon se mbështetja për familjet e reja ndikon pozitivisht në lindshmëri. Franca ka zbatuar politika të suksesshme, duke përfshirë leje prindërore, përfitime financiare dhe shërbime cilësore për fëmijët. Hungaria dhe Polonia kanë ndërmarrë masa të forta pronataliste, duke ofruar stimuj financiarë për familjet me shumë fëmijë.
Në Shqipëri, rënia e lindjeve dhe emigracioni po e plakin popullsinë. Censi 2023 tregoi se mosha mesatare arriti 42.5 vite, me një rritje të ndjeshme nga viti 2011. Mbyllja e shkollave, tkurrja e fuqisë punëtore dhe sfidat në skemat e pensioneve po bëhen shqetësim serioz.
Ekspertët theksojnë se për të shmangur krizën demografike nevojiten politika që mbështesin familjet e reja, përmirësojnë pagat dhe cilësinë e jetesës, duke parandaluar emigracionin masiv.