Sikurse është traditë në Shqipëri, 8-Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas shënohet me urime, përqafime dhe dhurata sepse sigurisht nënat dhe gratë e meritojnë.
Por përtej urimeve sipërfaqësore duket se nuk ka asgjë të thellë ose ndjerë, teksa gruaja si seksi më i dobët fizikisht, vijon të dhunohet, abuzohet e vritet nga meshkujt që ka në familje.
Kjo për fat të keq bën që urimet dhe dashamirësia e një dite të vetme në vit, të mos kompensojnë dot urrejtjen e përçarjen që ka përfshirë shoqërinë tonë të hipnotizuar pas parasë, seksit, televizionit e pornografisë, dhe gjithçkaje tjetër që nxit egoizmin e injorancën.
Të gjitha këto vijnë në kurriz të dashurisë e unitetit mes njerëzve, të cilët i mban në jetë e njëjta frymë hyjnore dhe janë të gjithë plotfuqishëm nëse kuptojnë të mos ndikohen nga materializmi i jashtëm.
Prandaj 8 marsi duhet të shërbejë si reflektim për respektin ndaj më të dobëtit, dhe përmbajten për të mos përdorur kurrë forcën përveçse për mbrojtje ose për të siguruar jetesën, dhe gjithashtu si homazh ndaj grave shqiptare të vrara nga partnerët ose të njohur të tyre, për arsye nga më absurdet.
Bedrie Loka në Sukth të Durrësit, 27-vjeçarja Sibela Abedini në Kamëz, Ike Sokoli 75 vjeç në Rrogozhinë, Alma Arrazi, nëna e 3 fëmijëve që u mbyt në Bunë, Shano Islami 66 vjeçe në Konispol, indoneziania Saragih Indah Lilis Sartika e vrarë nga bashkëshorti në Tiranë, Alba Cenko në Athinë, Eleonora Toci vritet në sy të fëmijëve nga bashkëshorti në Itali, Anila Ndoka e qëlluar me armë nga bashkëjetuesi, janë disa nga emrat që duhet të lidhin duart e kujtdo që tundohet të përdorë forcën ndaj grave.