Dhjetë vite pas protestave studentore të 2015-ës, tetë ish-studentë të “Lëvizjes për Universitetin” janë detyruar të rikthehen në gjykatë për të kërkuar pafajësinë dhe pastruar emrin e tyre.
Studentët kanë shlyer dënimin me orë shërbimi komunitar, por një vendim i Gjykatës së Lartë ka rikthyer çështjen për gjykim, duke u dhënë mundësi të çlirohen nga akuzat.
Ish-studentët gjithsesi synojnë të pastrojnë emrat e tyre dhe gjithashtu të dërgojnë mesazhin e qartë se liria e shprehjes dhe e drejta për protestë nuk mund të cenohen me lehtësi.
Në nëntor 2015, Fakulteti i Shkencave Sociale në Tiranë u bë skenë e një përplasjeje mes studentëve dhe pushtetit të qeverisë së parë Rama, një episod që do të linte gjurmë në debatin për lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të protestuar.
Më 2 nëntor Kryeministri doli nga fakulteti kur thirrjet kundër tij dhe në mbrojtje të arsimit publik falas pushtuan oborrin. Në një moment tensioni, një vezë u lëshua drejt të tij, por nuk e goditi.
Reagimi i forcave të sigurisë ishte i menjëhershëm dhe brutal. Oficerët të veshur civilë të policisë dhe gardës ndaluan dhunshëm disa studentë.
Tetë prej tyre përfunduan në ambientet e Komisariatit Nr.2, ku u mbajtën për rreth tetë orë pa ndonjë shpjegim të qartë.
Ndaj tyre u ngritën akuzat të pabaza si “goditje për shkak të detyrës” dhe “kundërshtim i punonjësve të policisë.” Hetimet ndaj tyre zgjatën pesë muaj, ndërsa procesi gjyqësor u shtri për muaj të tjerë.
Më 20 mars 2017, Gjykata e Tiranës i shpalli fajtorë, duke i dënuar me dy muaj burg, një dënim që më pas u konvertua në 60 orë punë komunitare.
Por ky vendim nuk do të ishte i fundit në këtë histori. Në një kthesë të papritur, në mars të këtij viti, Gjykata e Lartë e cilësoi qasjen e Apelit “tejet formale dhe joproporcionale,” duke konstatuar se ajo u kishte mohuar studentëve akses të plotë në drejtësi.
Si rezultat, gjykata urdhëroi rishqyrtimin e çështjes nga një trup tjetër gjykues në Apel dhe tashmë tetë ish-studentët kanë mundësi të fitojnë pafajësinë.
Episodi që nisi si revoltë studentore kundër një reforme universitare, po përfundon duke u kthyer në një precedent me ndikim të gjerë mbi të drejtat e protestuesve në Shqipëri dhe qasjen e shtetit ndaj zërave që mendojnë ndryshe.