Revolta popullore kundër Vuçiçit trondit Serbinë: Grevë e përgjithshme dhe protesta masive

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 07.03.2025, 17:12

Lëvizja protestuese kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiç nuk po ndalet, duke përfshirë të gjithë vendin në një valë pakënaqësie të thellë. Këtë të premte, Serbia është përfshirë nga protesta të mëdha, ndërsa vendi ka hyrë në një grevë të përgjithshme.

Greva është iniciuar nga studentët dhe gjimnazistët, duke gjetur mbështetje të gjerë nga sindikatat dhe shoqatat e ndryshme profesionale. Kjo është greva e dytë e përgjithshme brenda pak muajsh, pas asaj të mbajtur më 24 janar.

Sipas mediave vendase, qytetarët janë ngritur në protesta në të gjitha qytetet kryesore të Serbisë, me përqendrim të madh në Novi Sad, Nish dhe Kragujevc. Pasi protestat në këto qytete përfunduan, një tubim masiv në Beograd nisi rreth orës 15:30, ndërsa një marshim i madh i protestuesve në kryeqytet filloi në orën 16:00.

Këto protesta shpërthyen pas shembjes tragjike të çatisë në një stacion treni në Novi Sad më 1 nëntor 2024, një incident që shkaktoi vdekjen e 15 personave. Ngjarja ka shkaktuar një zemërim të madh në popull, duke nxitur reagime të fuqishme kundër qeverisë.

Në një reagim për situatën, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka akuzuar shërbimet e huaja të inteligjencës për organizimin e protestave. Ndërkohë, si pasojë e trysnisë publike, kryeministri Millosh Vuçeviç dhe kryetari i Komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriç, kanë dhënë dorëheqjen.

Protestat dhe greva e përgjithshme pritet të vazhdojnë, duke e futur Serbinë në një periudhë tensioni dhe pasigurie politike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit