Ende nuk e ka dhënë dorëheqjen Anila?

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.03.2025, 17:08

Prej disa kohësh Ministrja e Busjqesië dhe Zhvillimit rural, Anila Denaj ka qenë në qendër të skandaleve që kanë tronditur shëndetin publik dhe kanë vënë në dyshim funksionimin e institucioneve shtetërore. Pavarësisht dështimeve të njëpasnjëshme duket se ministrja nuk do t’ia dijë për popullin që po helmon dita ditës.

Në fund të fundit, fëmijët tanë dhe qytetarët janë ata që paguajnë çmimin më të lartë për dështimet e institucioneve shtetërore dhe të autoriteteve të cilët duhet të mbrojnë shëndetin e popullsisë. A është e pranueshme që të mbyllim sytë ndaj këtyre skandaleve, duke i lënë ata të ekspozuar ndaj produkteve të rrezikshme dhe dëmeve që mund të shkaktohen?

Mandarinat me Fosmet, ju i hodhët në treg që të na helmoni!

Një prej incidenteve më të rënda është ai i 21 ton mandarinave të mbushura me pesticidin e ndaluar, Fosmet. Ky pesticid është jashtëzakonisht i rrezikshëm për shëndetin e njeriut dhe është ndaluar në shumë shtete, përfshirë Bashkimin Europian dhe SHBA-në. Mandarina të kontaminuara u kthyen nga Kroacia për shkak të nivelit të lartë të Fosmetit, por, në një akt të paprecedentë, ato nuk u asgjësuan siç duhej. Përkundrazi, ato u futën në treg dhe u shitën, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar mashtrimin, duke e vënë në dyshim seriozisht rolin e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Zinxhiri i korruptuar i inspektorëve

Skandalet me ushqimin kanë qenë të vazhdueshme dhe shumë të dëmshme. Pas rasteve të mësipërme, Ministria e Bujqësisë nuk ka qenë në gjendje të sigurojë standardet e duhura për kontrollin e sigurisë ushqimore, duke i ekspozuar konsumatorët shqiptarë ndaj produkteve të rrezikshme dhe të kontaminuara. Një ndër shkeljet më të rëndësishme ka qenë ajo e mandarinave të mbushura me pesticid të ndaluar, që kaluan përmes një rrjeti të korruptuar të inspektorëve.

Pse nuk u aplikua vaksina kundër brucelozës te kafshët?

Një tjetër problem i madh ka qenë dështimi i Ministrisë së Bujqësisë për të siguruar vaksinën kundër brucelozës për kafshët, e cila ka kushtuar 1.7 milionë euro. Vaksina është blerë, por ende nuk është aplikuar në kafshë, duke rrezikuar seriozisht jetën e kafshëve dhe të fermerëve. Ky lajm ka shqetësuar dhe ka irrituar shumë qytetarë, dhe gazetarja Rudina Muça ka denoncuar se ministrja Anila Denaj ka bërë presion mbi të për të heshtur, duke i kërkuar që të heqë dorë nga raportimi për këtë skandal.

Ku e çuat “midhjen”, mbretëreshën e Butrintit?

Ministria e Bujqësisë ka dështuar gjithashtu në menaxhimin e Liqenit të Butrintit dhe të impianteve të midhjeve. Fermerët që kanë punuar për dekada me radhë në këtë zonë nuk kanë mundur të lidhin kontratat e qiradhënies për impiantet e midhjeve për më shumë se dy vjet. Ky është një tjetër shembull i pasivitetit të ministrisë, e cila ka lënë pa mbrojtje një nga pasuritë më të vlefshme natyrore të Shqipërisë. Si rezultat, ka një rrezik të madh që ky liqen të mbetet pa prodhim midhjesh, duke dëmtuar shumë familje të përfshira në këtë industri.

Skandali me shpendët e infektuar...

Një tjetër skandal ka të bëjë me menaxhimin e epidemisë së gripit të shpendëve. Ministria e Bujqësisë është kritikuar për mosmarrjen e masave të duhura për të parandaluar shpërndarjen e gripit të shpendëve. Sëmundja ka shpërthyer në disa ferma të vendit, dhe është raportuar se një fermë e njohur, "Rea's," me 69 mijë shpendë, është futur në karantinë. Ky ka qenë një tjetër dështim për Ministrinë, që ka dështuar të monitorojë dhe të ndalojë përhapjen e sëmundjeve.

Po kush e ka përgjegjësinë për të gjitha këto?

Përkundër këtyre skandaleve të mëdha dhe dështimeve të vazhdueshme, Ministrja Anila Denaj përparësi nuk ka shëndetin të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë por t’u japë urdhër punonjësve që t’i bëjnë “like dhe share” profilit të saj dhe të ministrisë në rrjetet sociale.

E ç ‘rëndësi ka nëse fëmijët tanë hanë mandarina më Fosmet, hanë vezët e pulave të infektuara apo mishin e kafshëve me brucelozë, në fund të fundit në popull jemi, siç duket e kemi pranuar që të jemi viktima të neglizhencës dhe korrupsionit!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit