Fëmijët e shkollave në Shqipëri i dhuruan sot lule e dhurata mësuesve të tyre për 7 marsin, duke treguar mirënjohjen për punën e përkushtimin e tyre.
Por ajo që tërheq vëmendjen ishte vëmendja e kushtuar ndaj kostos së dhuratave të nxënësve, duke treguar për fat të keq se vlerësimi kryesor është ai material dhe se lidhja e dikurshme me fëmijëve dhe njeriut që kujdeset për t’i arsimuar po kthehet ngadalë në një marrëdhënie komerciale.
Në faqet e mediave shiheshin lista me kostot e objekteve që dhurohen vazhdimisht për mësuesit, ku përfshiheshin edhe sende krejt jashtë konteksti si kupona blerjesh, bizhuteri, udhëtime apo para të thata.
Dhuratat gjithnjë e më të shtrenjta si çanta elegante, portofola e syze dielli, kanë marrë përparësinë, duke lënë pas aspektet e tjera të rëndësishme si vlerësimi shpirtëror dhe profesional, në një fenomen që reflekton një ndryshim shqetësues në mënyrën e perceptimit të vlerës së mësuesve.
Për fat të keq këto sjellje shoqërohen me humbje të respektit e vlerësimit të vërtetë, i cili në këtë rast kthehet në diçka që mund të blihet ose shitet.
Dhe në fakt shumë mësues ankohen se vlera e figurës së tyre para nxënësve sa vjen e zvogëlohet me kalimin e viteve.
Ata ndjehen të pa mbështetur nga institucionet në punën edukative dhe shpesh janë të detyruar të përballen me sfida që shkojnë përtej arsimit. Mësuesit duhet të luajnë rolin e policit në klasë, duke u përpjekur të mbajnë disiplinën dhe të menaxhojnë sjelljet e nxënësve, të cilat janë të vështira për t'u kontrolluar.
7 marsi është një ditë e rëndësishme për arsimin dhe kulturën shqiptare, pasi përkujton hapjen e Mësonjëtores Kombëtare Shqipe në Korçë, më 7 mars 1887, nën drejtimin e Pandeli Sotirit. Ky moment historik shënoi fillimin e një etape të re në zhvillimin e arsimit shqip, duke u bërë një hap i rëndësishëm në ndriçimin dhe përhapjen e dijes në vend.