Kriza në arsimin shqiptar: Boshatisja e shkollave dhe rënia e cilësisë

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 07.03.2025, 16:12

Në dekadën e fundit, sistemi arsimor shqiptar po përballet me një sfidë të madhe: mbylljen e shkollave dhe boshatisjen e klasave. Ky fenomen është rezultat i plakjes së popullsisë, rënies së lindshmërisë dhe emigrimit të lartë të të rinjve.

Ndryshimet demografike kanë ndikuar në raportin mes nxënësve dhe mësuesve, duke e reduktuar ndjeshëm. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin shkollor 2023-2024, një mësues në arsimin parauniversitar kishte mesatarisht 11.4 nxënës, krahasuar me 18.9 në vitin 2000 dhe 16.1 në vitin 2010. Megjithatë, kjo rënie nuk ka sjellë përmirësim në cilësinë e arsimit.

Në Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) të vitit 2022, Shqipëria shënoi rezultate zhgënjyese. Në matematikë, nxënësit morën 368 pikë, 69 më pak se në testimin e vitit 2018 dhe 21 më pak se në vitin 2012. Në letërsi, rezultati ishte 358 pikë, 47 më pak se në 2018 dhe 35 më pak se në 2012. Edhe në shkenca, rënia ishte e njëjtë.

Ngarkesa e Mësuesve dhe Kriza e Autoritetit

Ndërkohë, mësuesit po përballen me një ngarkesë të shtuar pune, veçanërisht në aspektin administrativ. B.Sh., një mësuese letërsie në një nga gjimnazet e Korçës, pohon se dokumentacioni është bërë një barrë e rëndë, duke ia marrë kohën dhe energjinë që duhej t’i dedikohej mësimdhënies. Për mësuesit më të vjetër, digjitalizimi i dokumentacionit është kthyer në një sfidë stresuese.

Një tjetër problem i madh është humbja e autoritetit të mësuesve. B.M., mësues biologjie në Kukës, thotë se figura e mësuesit po cenohet nga të gjitha palët: politika, drejtuesit arsimorë, prindërit dhe vetë nxënësit. “Klasa është bërë e pamenaxhueshme nga zhurmat dhe sjellja e nxënësve. Shpesh, mësuesi luan rolin e policit, në vend që të fokusohet në mësimdhënie,” shprehet ai.

Presioni nga prindërit është gjithashtu në rritje. A.K., mësuese në Tiranë, vëren se dikur, në vitet 2000, mësuesit respektoheshin më shumë. “Sot, nga një figurë me autoritet, mësuesi është kthyer në një objekt sulmi nga të gjithë.” Mësuesja e matematikës, N.M., shton se shumë prindër, duke mos vendosur kufij për përdorimin e teknologjisë në shtëpi, fajësojnë shkollën për performancën e dobët të fëmijëve të tyre.

Një tjetër shqetësim madhor është ndikimi i politikës në sistemin arsimor. Mësuesit e intervistuar pohojnë se karriera në arsim nuk ndërtohet më mbi bazën e meritës, por mbi lidhjet dhe përfshirjen politike.

Ndërkohë që bota po përjeton një revolucion teknologjik, shkollat shqiptare ende vuajnë nga mungesa e infrastrukturës bazë. Financimet qeveritare mbeten të pamjaftueshme për të garantuar një përmirësim të prekshëm në të ardhmen.

Midis viteve 2010 dhe 2023, numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka rënë me 34%, ndërsa numri i mësuesve është ulur me vetëm 7%. Kjo tregon një krizë të thellë të sistemit arsimor, ku jo vetëm që shkollat po boshatisen, por edhe cilësia e arsimit po përkeqësohet.

Në këto kushte, reforma të thella dhe investime serioze janë të nevojshme për të shpëtuar të ardhmen e arsimit shqiptar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit