Një situatë e rrezikshme ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe qytetarëve në Tiranë, ku një kabinë elektrike pranë semaforit për këmbësorë, në bulevardin te ish-stacioni i trenit, qëndron e hapur dhe pa barrierë mbrojtëse. Ky vendim ka shkaktuar shqetësim pasi rrezikon sigurinë e kalimtarëve, sidomos të fëmijëve që ndalojnë dhe kalojnë aty për të shkuar në shkollë.
Ky defekt i kabinës elektrike është edhe një problem i dukshëm për sigurinë publike, duke pasur parasysh se zona është me frekuentim të lartë. Hapja e kabinës rrezikon jetën e kalimtarëve dhe veçanërisht të fëmijëve, të cilët shpeshherë mund të mos e kuptojnë rrezikun që u kanoset.
"Pershendetje, shi c’behet ke bulevardi ri ktu ke ish treni mu mes semaforit. Gjynah pasi kalojn femij qe ikin ne shkoll", shkruan qytetari i shqetësuar nga situata.
Autoritetet e qytetit të Tiranës nuk kanë reaguar ende në lidhje me këtë problem, në një kohë kur mjaft qytetarë nuk kanë njohuri për këtë rrezik dhe mund të bien në kontakt me komponentët elektrik të saj.
Ky është një apel urgjent për autoritetet dhe përgjegjësit lokalë, që të ndërmarrin masa për të mbyllur ose rregulluar këtë kabinë, duke siguruar kështu një ambient më të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë qytetarët e Tiranës.