7 Marsi në Shqipëri është një ditë që shënon mirënjohjen për mësuesit, por gjithashtu që ka evoluar në një garë dhuratash të shtrenjta mes prindërve dhe nxënësve.
Tradita që dikur ishte e thjeshtë, me lule dhe kartolina falënderimi, tani është kthyer në një treg ku dhuratat variojnë nga parfumet luksoze e bizhuteritë, deri te udhëtimet e paguara. Ky ndryshim ka çuar në një shqetësim të dukshëm mes prindërve, të cilët ndihen të detyruar të kontribuojnë në këtë garë për të shmangur diferencimin e fëmijëve të tyre.
Ndërsa disa prindër dhe nxënës vazhdojnë të mbajnë traditën e dhuratave të thjeshta, si kartolinat e bëra vetë me mesazhe falënderimi, tendenca drejt dhuratave të shtrenjta ka shkaktuar një zhvendosje të fokusit.
Çdo vit, shumica e dhuratave variojnë nga libra dhe kuponë për blerje librash, që mund të jenë deri në 3000 lekë, deri te bizhuteritë dhe aksesorët prej ari që mund të arrijnë deri në 30,000 lekë. Gjithashtu, shumë prindër kontribuojnë në grumbullime të përbashkëta për të blerë dhurata kolektive, të tilla si parfumet, çantat elegante ose setet kozmetike.
Ky komercializim vë në pikëpyetje vlerësimin ndaj mësuesve, por nxjerr në pah edhe presionin e nxënësve dhe prindërve të tyre për të dhuruar sende me vlerë dhe jo thjesht lule apo kartolinë.