Elisian Bici i OST bën “rrush e kumbulla” 407 milionë lekë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.03.2025, 21:10

Një tjetër tender i dyshimtë ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike në Shqipëri. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Upgrade Hardware-Software i sistemit të kontrollit të nënstacionit 220 kV Fierzë”, zhvilluar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), institucion i drejtuar nga Elisian Bici.

Tenderi u zhvillua përmes një procedure të hapur, mbi kufirin e lartë monetar, me një fond limit prej 34,514,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 414 milionë lekë të vjetra me TVSH. Fituesi i shpallur ishte kompania FIRST, në pronësi të Gëzim Hoxhës, e cila dha një ofertë prej 33,907,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 407 milionë lekë të vjetra me TVSH, që përbën 98.2% të fondit limit. Diferenca minimale mes ofertës fituese dhe fondit limit tregon se çmimi i tenderit ishte thuajse i përcaktuar paraprakisht, një praktikë e zakonshme në tenderët e dyshimtë.

Një nga aspektet më problematike të këtij tenderi është mungesa e konkurrencës së vërtetë. Në garë morën pjesë vetëm dy kompani, por njëra prej tyre nuk dorëzoi asnjë dokument apo ofertë. Kjo do të thotë se fituesi u vendos automatikisht, duke e bërë procesin një formalitet dhe jo një garë të hapur dhe të drejtë. Praktika të tilla janë një tregues i qartë i mungesës së transparencës dhe favorizimeve të mundshme.

Tenderi me referencë REF-33719-12-17-2024 është një tjetër shembull i mënyrës sesi fondet publike shpesh shpërndahen pa një konkurrencë reale, duke ngritur dyshime mbi favorizimin e kompanive të caktuara.

Një garë e hapur dhe transparente duhet të garantojë pjesëmarrjen e disa operatorëve ekonomikë, të cilët do të ofronin çmime konkurruese dhe cilësi më të mirë për shtetin. Por në këtë rast, mungesa e konkurrentëve dhe oferta që është pothuajse e barabartë me fondin limit tregojnë për një tender të paracaktuar, që mund të jetë zhvilluar vetëm për të justifikuar ndarjen e parave publike tek një subjekt i caktuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit