Banorët e fshatit Mbyet në Fier kanë bllokuar punimet e bashkisë që po shkul pemët në tokën e tyre, pa rënë ende dakord për shpronësimin e justifikuar me ‘zgjerimin e varrezave publike’.
Ata kërkojnë ndryshimin e vendimit arbitrar të qeverisë për shpronësimet pasi tokat e tyre bujqësore dhe ullinjtë shekullorë janë vlerësuar me çmim të ulët.
Familjet e fshatit Mbyet kundërshtojnë vendimin e qeverisë ku thuhet se një dynym tokë do të shpronësohet me 260 mijë lekë dhe një rrënjë ullinj me 11 mijë lekë, pasi ato ishin burimi i tyre i vetëm i jetesës.
“Kemi mbjellë ullinj prej 40 vitesh dhe marrim prodhim, tani vijnë na e marrin për varreza. Ne me këtë tokë ushqehemi, me çfarë t’i ushqejmë fëmijët? Bashkia vjen e merr tokën pa njoftuar, pa konsultuar. Vjen e shkul ullinjtë këtu, pa rënë dakord me ne për çmimin e tokës”, thanë banorët.
Policia bashkiake ka shkuar për të prerë ullinjtë por ka hasur në rezistencën e banorëve. efektivët shoqëruan tre prej protestuesve gjatë tensioneve, të cilët pasi janë u morën në pyetje u lanë të lirë.
Zyrtarët bashkakë thanë se do të vazhdojnë punën për zgjerimin e varrezave në tokën e rreth dhjetë familjeve, edhe pse ata nuk pranojnë kushtet e ofruara.