Paraditen e 18 shkurtit, qyteti i Shkodrës u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku 34-vjeçari Kolë Manaj qëlloi me armë në kokë partneren e tij prej pesë vitesh, Anila Ndokën, dhe më pas i dha fund jetës së tij.
Manaj ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Anila, e cila u transportua menjëherë në spital, luftoi për jetën për disa ditë. Megjithatë, fatkeqësisht, nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë mëngjesin e 24 shkurtit.
Anila Ndoka, 44 vjeçe, ishte nënë e tre fëmijëve nga martesa e saj e parë, të moshave 20, 18 dhe 9 vjeç. Ndërkohë, sipas informacioneve, Kolë Manaj nuk kishte fëmijë.
Ngjarja ka lënë pas dhimbje të madhe për familjarët e të dy viktimave. Motra e Kolës ka ndarë në rrjetet sociale disa mesazhe prekëse për të vëllanë, duke shprehur trishtimin e saj të thellë:
“Engjelli më i bukur në parajsë. Gjysma e shpirtit tim. Shpirti i motrës ti. Ti ishte shpirti më i bukur në botë, e tani je engjëlli më i bukur në botën tjetër. Njeri më i mirë që ekzistonte. Unë jam krenare për ty shpirti i motrës, edhe do të jem sa të kem jetë të jetoj. Ti ishte e do jesh në shpirtin e zemrës time”,
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:15 të 18 shkurtit në lagjen “Mark Lula” të Shkodrës. Pasi qëlloi Anilën, Manaj kreu vetëvrasje. Anila u dërgua me urgjencë në spital, ku qëndroi në kujdes intensiv, por nuk arriti të mbijetonte.
Sipas burimeve, Anila Ndoka punonte në Bashkinë e Shkodrës, ndërsa Manaj ishte i papunë. Të afërmit e çiftit kanë treguar se në javët e fundit mes tyre kishte pasur konflikte. Një kushëri i Manajt ka pohuar se Anila i kishte kërkuar ndarjen, pasi nuk e falte për diçka që ai kishte bërë.