Agjencia Europiane e Azilit, në raportin e saj vjetor të sapo publikuar, bën të ditur se gjatë vitit 2024, 7,325 shtetas shqiptarë kanë paraqitur kërkesë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Në listën e kërkesave për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor, qytetarët nga Shqipëria dhe Kosova zënë vendin kryesor. Sipas të dhënave të raportit, 6,791 shtetas nga Kosova aplikuan për azil në BE gjatë vitit 2024, ndërsa nga Maqedonia e Veriut u regjistruan 3,506 kërkesa, nga Serbia 3,227, nga Bosnje-Hercegovina 1,432 dhe nga Mali i Zi 337 kërkesa.
Në krahasim me vitin 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kërkuan azil në BE ka rënë, pasi vitin e kaluar aplikuan 9,145 persona. Franca vazhdon të jetë destinacioni kryesor për azilkërkuesit nga Shqipëria, e ndjekur nga Gjermania, ndërsa Italia dhe Greqia renditen në vijim.
Raporti tregon se në vitin 2024, vendet e Bashkimit Europian kanë marrë rreth një milion kërkesa për azil për të tretin vit radhazi. Në fund të vitit, në BE kishte rreth 4.4 milionë përfitues të mbrojtjes së përkohshme, kryesisht nga Ukraina, ku Gjermania dhe Polonia pritën gjysmën e tyre. Ndërkohë, Çekia rezultoi vendi që priti më shumë përfitues në raport me popullsinë e saj.
Ndër të dhënat kryesore të raportit vërehet një rënie e lehtë e kërkesave për azil krahasuar me vitin 2023. Sirianët mbetën grupi më i madh i azilkërkuesve në BE, megjithatë numri i aplikimeve të tyre gjatë 2024 ishte më i ulët se në vitin e kaluar, pas ndryshimeve në situatën politike në Siri dhe rënies së regjimit të Asadit.