Importet e naftës, birrës dhe kafes shënuan rritje të pazakontë në janar

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 06.03.2025, 13:53

Importet e mallrave të akcizës shënuan rritje të fortë në muajin janar në Shqipëri, duke reflektuar sipas ekspertëve, kërkesën në rritje për këto produkte, kryesisht nga rritja e fluksit të vizitorëve të huaj.

Të dhënat e Ministrisë së Financave referojnë se në janar 2025 importet e naftës shënuan rekord të viteve të fundit, duke arritur në 53,250 ton.

Rritja e importeve të naftës lidhet me volumet më të larta të transportit dhe gjithashtu të ndërtimeve e investimeve në infrastrukturë.

Gjithashtu Shqipëria është në prag të zgjedhjeve parlamentare të majit, të cilat shoqërohen me rritje të injektimeve buxhetore ose lëvizje të tjera parash.

Aktiviteti ekonomik dhe transporti intensifikohen në prag fushatash duke nxitur edhe rritjen e konsumit të karburanteve.

Nga ana tjetër rritja e numrit të vizitoreve të huaj në fillim të vitit 2025 lajmëron kërkesën në rritje për karburant dhe mallra të sektorit të mikpritjes.

Importet e kafesë shënuan gjithashtu një rekord historik me 723 ton vetëm në janar, duke u rritur me 99% në krahasim me janarin 2024. Burimet nga tregu pohuan se grosistët e kafesë janë pritur të rrisin blerjet për t’u mbrojtur nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtarë.

Baret dhe restorantet deri tani nuk kanë reflektuar njëlloj rritjen e çmimeve të importit të kafesë, por kanë lajmëruar se do të ketë ndryshim në pranverë ku edhe konsumi pritet të rritet nga turistët.

Importet e birrës gjithashtu pësuan rritje të lartë në janar. Sasitë që erdhën nga jashtë për tregun vendas ishin 35 për qind më të lartë se në janarin 2024.

Rënie të importeve shënuan sivjet vetëm cigaret, sasitë e të cilave në janarin 2025 ishin 4% më të ulëta se një vit më parë në këtë periudhë.

Rritja e akcizës ndaj cigareve besohet se ka frenuar sasitë e importeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit