Bershka merr lekët dhe mban produktet për vete: Dyqani dhe punonjësit s’më japin zgjidhje

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.03.2025, 13:26

Një kliente e "Bershka" ka denoncuar një situatë shqetësuese që ka përjetuar gjatë dy muajve të fundit lidhur me blerjet online përmes aplikacionit të dyqanit.

Ajo ka treguar për JOQ ALBANIA se para disa kohësh, pas kthimit të disa produkteve, u rimbursua pjesërisht nga "Bershka', dhe nuk ka marrë ende zgjidhje për këtë çështje.

E sikur të mos mjaftonte kjo, ditën e djeshme kur ka marrë një pako tjetër nga kompania dhe ka bërë pagesën në postë, ka vënë re se mungonin tre produkte që ishin faturuar si pjesë e pakos.

Qytetarja ka tentuar të lidhet me shërbimin e klientit të Bershka përmes aplikacionit, por nuk ka marrë përgjigje të kënaqshme. Pasi ka telefonuar dhe u ka shpjeguar situatën punonjësve, i është thënë se nuk ka mundësi zgjidhje dhe se shumë klientë të tjerë kanë pasur ankesa të ngjashme.

Përveç kësaj, ajo është ankuar për vështirësitë që ka hasur për të marrë ndihmë përmes kanaleve të tjera, duke theksuar se sistemi automatik i bisedës ka bllokuar komunikimin dhe nuk ka marrë asnjë asistencë deri tani.

Në lidhje me këtë situatë, qytetarja ka shprehur shqetësimin se ka paguar për produkte që nuk i ka marrë dhe se shërbimi i klientit i Bershka ka dështuar të ofrojë një zgjidhje të drejtpërdrejtë, duke kërkuar një kompensim për situatën e krijuar.

Denoncimi i qytetares:

Përshëndetje,

Doja të ndaj një shqetësim që kam hasur. Gjatë dy muajve të fundit, kam bërë dy herë blerje në Bershka përmes aplikacionit. Herën e parë, bëra kthimin e disa produkteve që nuk më përshtateshin dhe më thanë se do të më kthenin paratë përmes bankës. Pjesa e parë e rimbursimit u krye, por ende nuk kam marrë shumën e plotë.

Sot mora një paketë të re, pagova në postë dhe, kur e hap pakon, vura re se mungonin 3 produkte që ishin faturuar si pjesë e pakos. Nuk kam mundur të komunikoj me stafin përmes aplikacionit. Telefonova në Bershka dhe ata më thanë se nuk mund të bëjnë asgjë, megjithatë pranojnë se kanë pasur shumë ankesa të ngjashme nga klientë të tjerë sot. Unë jetoj në Korçë, por më thanë që nuk mund ta zgjidhim këtë çështje nga telefonata.

Po ashtu nuk kam marrë asnjë përgjigje, pasi sistemi më dërgon një SMS automatik dhe më pas mbyllet chat-i, siç shihni në foto. Në faturën e dërguar, është përfshirë një artikull i katërt me 3 copë, të cilin e kam porositur dhe paguar, por nuk e kam marrë me paketën. Shpresoj të marrë një zgjidhje sa më shpejt.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit