Një vajzë ka denoncuar një rast mashtrimi në redaksinë e JOQ Albania, duke treguar sesi një person i panjohur i ka marrë para me pretendimin se jepte një shtëpi me qira në Tiranë. Sipas saj, mashtruesi e kishte ndërtuar skemën me detaje të besueshme, duke u prezantuar si një shqiptar që jetonte në Gjermani dhe që kishte një apartament të tijin në kryeqytet.
Viktima tregon se ka folur disa herë me të në telefon dhe madje e ka testuar duke përdorur numra të ndryshëm për të parë nëse ai do ta jepte shtëpinë dikujt tjetër. Mashtruesi ka refuzuar, duke këmbëngulur se prona ishte e rezervuar për të. Me këtë bindje, ajo vendosi t’i jepte një shumë parash si kapar. Fillimisht, ai i kërkoi një pagesë të plotë paraprake, por vajza refuzoi dhe i dha vetëm një pjesë të shumës.
Për ta bërë skemën edhe më të besueshme, ai i tha se për shkak të festave bankat në Gjermani do të ishin të mbyllura, ndaj ajo duhet t’ia dërgonte paratë përmes Western Union. Komunikimi mes tyre vazhdoi normalisht deri më 7 dhjetor, datë kur mashtruesi pretendonte se do të kthehej në Shqipëri për të përfunduar marrëveshjen. Në atë moment, ai e bllokoi vajzën dhe nuk u kontaktua më.
Viktima e mashtrimit tregon se nuk është fjala vetëm për paratë, por për mënyrën se si një i ri është në gjendje të përfitojë në mënyrë të paturpshme nga studentët dhe qytetarët që kërkojnë të marrin me qira një shtëpi.
Mesazhi i dërguar nga qytetarja:
"Përshëndetje JOQ. Jam një vajzë që u gënjeva shumë lehtë nga një person i cili pretendonte se jeton në Gjermani dhe kishte një shtëpi të tijën që e jepte me qira në Tiranë. Ai e bëri shumë të besueshme gjithçka. Fola dhe në telefon me të, e testova edhe me numra të tjerë për të parë nëse do t’ia jepte dikujt tjetër, por ai refuzoi edhe ata që do t’i jepnin kapar të plotë. Kështu vendosa t’i jepja një shumë të vogël si kapar. Më kërkoi kaparin e plotë, por nuk pranova dhe i dhashë vetëm një pjesë. Ishte periudha e festave dhe më tha se bankat në Gjermani do të ishin të mbyllura, ndaj duhet t’ia dërgoja shumën përmes Western Union. Deri më 7 dhjetor, kur pretendonte se do të kthehej në Shqipëri, komunikimi me të ishte i vazhdueshëm. Kur erdhi dita e takimit, ai më bllokoi. Nuk është puna tek lekët, por tek fakti se si një djalë i ri përpiqet të vjedhë studentët me paturpësinë më të madhe."