Kushte skandaloze konviktet e QS: Studentet detyrohen të lahen me ujë të ftohtë dhe të blejnë ngrohëse nga xhepi i tyre

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.03.2025, 21:47

Një studente ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania kushtet skandaloze në të cilat janë të detyruara të jetojnë vajzat e akomoduara në godinat 9 dhe 10 të Qytetit Studenti. Në një mesazh të shoqëruar me pamje, ajo përshkruan realitetin e dhimbshëm të jetesës në këto godina, të cilat nga jashtë mund të duken në gjendje të mirë, por brenda tyre janë një tmerr i vërtetë.

Sipas studentes, dhomat janë të vogla dhe të mbipopulluara me tre krevate, ndërsa mobilimi është i vjetëruar dhe i dëmtuar. Dyshekët nuk janë ndërruar për më shumë se 5 vite, dollapët janë të amortizuar dhe studentet detyrohen të blejnë letra muri për të mbuluar dëmtimet e mobiljeve. Për më tepër, në tualete nuk ka asnjë derë që mbyllet, gjë që e bën jetesën edhe më të vështirë.

Një tjetër problem madhor është mungesa e ujit të ngrohtë. Sipas denoncimit, kaldajat nuk janë ndezur asnjëherë gjatë periudhës që ajo ka qëndruar në konvikt, duke e detyruar atë dhe shoqet e saj të blejnë ngrohëse elektrike nga xhepi i tyre për të përballuar dimrin e ftohtë. Për më tepër, në shumë raste, studentet lahen me ujë të ftohtë, pasi sistemi i ngrohjes nuk funksionon.

Ajo ngre gjithashtu shqetësimin se pavarësisht kushteve të rënda, studentet paguajnë 4500 lekë në muaj për të jetuar në këto ambiente të papërshtatshme. Për disa, kjo shumë mund të duket e vogël, por për të tjerët është një barrë e rëndë financiare, sidomos kur duhet të përballojnë edhe shpenzime shtesë për ngrohëse, mobilim shtesë dhe mirëmbajtje.

Studentja ka tentuar të transferohet në godina të tjera të cilat kanë kushte më të mira, por është informuar se ato janë të mbushura plotësisht. Për këtë arsye, ajo pyet: "Nëse këto godina nuk kanë kushtet e përshtatshme për të jetuar, pse i vendosin në funksion? Pse duhet të paguajmë për ambiente që nuk përmbushin as kushtet minimale?"

Ky nuk është rasti i parë kur studentët ankohen për kushtet e konvikteve në Qytetin Studenti. Problemet me mobilimin e vjetër, mungesën e ujit të ngrohtë dhe amortizimin e ambienteve janë bërë një shqetësim i përhershëm. Shtrohet pyetja: A do të marrë dikush përgjegjësi për këtë situatë, apo studentët do të vijojnë të vuajnë në heshtje?

Denoncimi i plotë i studentes:

Përshëndetje JOQ, uroj të jeni mirë! Jam një studente e cila në pamundësi ekonomike për të marë një shtëpi me qera u detyrova të qëndroj në konvikt me saktë në godinën 9 dhe 10 qytet studenti (konvikte vetëm për vajza). Po ju nis më poshtë disa foto për të parë gjendjen e tyre në brendësi sepse po ti shikosh nga jashtë duken shum të mira amo brenda tyre është tmerr . Në dushe pa marrë parasysh gjendjen e tyre duke qënë të detyruara të bëjmë dush edhe pse në ato kushte ne shumicën e rasteve lahemi me uje të ftohtë. Përderisa këto godina nuk kanë kushtet e përshtatshme për të jetuar pse i vendosin në punë? Pse neve paguajmë kur nuk kemi as kushtet minimale ? Këtu ka kaldaja të cilat kurr nuk u ndezën të paktën për sa kohë unë isha këtu ndaj në dimër jemi të detyruara të blejmë ngrofse nga xhepi jonë . Këtu kur vijme kemi ca dollapë të vjetër dhe na jepet vetëm një hapësirë e vogël sepse dhomat janë të vogla dhe vendosin 3 krevate për ti shfrytëzuar në maksimum kemi dyshekun nji sustë dysheku nji komodinë dhe nji raft sipër krevatit në dhoma ka edhe lavamanë cdo gje tjetër duhet ta marim vetë e ta blejmë nga xhepi jonë ku ktu perfshihen letrat e murit dhe letrat për të fshehur se komodinat janë të vjetra dhe raftijet njejt. Në tualete asnji derë nuk mbyllet , dyshekët janë tepër të vjetër të paktën mbi 5 vite përdorim në mos me shumë dhe nuk ndërrohen se ska kush ti ndërrojë . Neve këtu paguajmë 4500 leke për disa përsona mund të jenë pak amo për disa janë shum se nuk do rrimë as 1 muaj e as 2 por minimumi 3 vite në konvikt. Kam provuar të shkoj në konvikte të cilat kanë kushte më të mira por thonë se janë të zëna.'

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit