Bufi Roskovecit vjedh 130 milionë në tenderin e “Luleve Inteligjente”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.03.2025, 20:29

Një tjetër tender i dyshimtë është zhvilluar në Bashkinë Roskovec, e drejtuar nga Majlinda Bufi. Janë shpenzuar rreth 130 milionë lekë të vjetra për blerjen dhe instalimin e tre luleve inteligjente të ashtuquajtura "Smartflower" si dhe ndërtimin e një stacioni komercial për karikimin e makinave elektrike.

Fitues i tenderit është shpallur kompania ALBAVIA në pronësi të Hasan Hafizit dhe Shkëlqim Rakipaj. Vlera e ofertës fituese është 10,651,490 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 130 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo shumë përfaqëson 94.7% të fondit limit, i cili ishte 11,250,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 135 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo tregon se gara nuk ka qenë aspak konkurruese dhe Bufi ka favorizuar fituesin.

Tenderi është klasifikuar me "flamur të kuq" për shkak të mënyrës sesi është zhvilluar. Të gjithë operatorët konkurrues janë skualifikuar, përveç fituesit. Një nga tre kompanitë pjesëmarrëse nuk ka dhënë asnjë ofertë ekonomike, duke qenë aty vetëm për të plotësuar numrin minimal të nevojshëm. Ndërsa një tjetër kompani ka ofruar një vlerë më të ulët se fituesi, por është skualifikuar në mënyrë të pashpjegueshme. Kjo ka hapur rrugë për shpalljen fitues të kompanisë ALBAVIA, me një ofertë shumë afër fondit limit.

Zhvillimi i tenderëve pa konkurrencë reale dhe me skualifikime të dyshimta është një problem i përsëritur në Shqipëri. Ky rast në Bashkinë Roskovec nuk bën përjashtim. Mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse do të hetojnë këtë rast, apo do të vijojë të mbetet një tjetër aferë që kalon pa asnjë pasojë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit