Autostrada Tiranë-Durrës ndodhet në një gjendje skandaloze. Çdo segment i rrugës ka gropa dhe kjo e vështirëson dhe rrit rrezikshmërinë e udhëtimit me makinë.
Kompania që ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen e autostradës nuk ka ndërmarrë asnjë masë për riparimin e dëmeve dhe e ka lënë këtë segment rrugor në mëshirë të fatit.
Një nga qytetarët e ka ndarë këtë shqetësim në redaksinë tonë. Ai shprehet se gropat janë të thella dhe të shpeshta dhe shoferët shpesh detyrohen të devijojnë nga njëra anë në tjetrën. Kjo gjë sjell rrezik për aksidente, që janë bërë shumë të shpeshta.
Mbi të gjitha, nga mbikalimi i Kasharit deri në Durrës, situata është jashtëzakonisht e keqe. Gropat nuk janë riparuar për një kohë të gjatë.
Mesazhi i qytetarit:
“Dua të ngre një shqetësim në lidhje me autostradën Tiranë-Durrës. Ajo është në gjendje skandaloze, e amortizuar dhe me gropa në të gjithë segmentin. Kompania që bën mirëmbajtjen e autostradës nuk ka bërë asnjë riparim, duke e lënë në mëshirë të fatit. Ka pasur shumë aksidente si pasojë e gropave, ku shoferët devijojnë nga njëra anë në tjetrën për t’i shmangur ato. Nga mbikalimi i Kasharit deri në Durrës, ajo është e shkatërruar.”