Një pjesë e madhe e kryeqytetit po përballet me mungesë të energjisë elektrike prej rreth një ore këtë pasdite të mërkure.
Dritat janë fikur në disa zona të mëdha si, rruga Elbasanit, Uzina e Autotraktorëve, Brryli, Shkolla e Bashkuar, Ali Demi dhe zona e Freskut.
Shkak për këtë ndërprerje të energjisë elektrike raportohet se është bërë një zjarr që ka rënë në kanalin e kabllove 20kV, rreth orës 13:27 që solli stakimin e energjisë si masë sigurie duke lënë kështu pa rrymë zonat e përmendura.
Sipas OSHEE, situata është vënë nën kontroll dhe se po punohet për rikueprimin e dëmit si dhe rikthimin e energjisë elektrike në zonat e prekura.
“Për shkak të flakës në kanalin e kabllove 20kV të një prej fiderave të NST Traktora, sot rreth orës 13.27, janë stakuar për masë sigurie çelësat 20kV të transformatorit duke lënë pa tension NST Traktora.
“Menjëherë u morën masat për shuarjen e flakëve ndërsa për objektet e rëndësisë së vecantë si spitalet, furnizimi me energji elektrike u krye përmes linjave alternative.
“Grupet e avarisë së Tensionit të Lartë janë në terren dhe po punojnë për eleminimin e defektit dhe rikthimin e energjisë elektrike tek të gjitha zonat e mbetura pa tension, si pasojë e stakimit të energjisë”, thuhet në reagimin e OSHEE.