Stefania Nobile, vajza e Wanna Marchi, e njohur si “mbretëresha e telemarketingut”, dhe ish-partneri i saj, Davide Lacerenza, pronar i lokalit të njohur për VIP-at në Milano, Gintoneria, janë arrestuar nën dyshimin se e kishin shndërruar këtë ambient në një qendër prostitucioni dhe pastrimi parash.
Sipas mediave italiane, hetuesit kanë zbuluar se Nobile dhe Lacerenza kanë investuar në Shqipëri paratë e fituara në mënyrë të paligjshme përmes Gintoneria-s, një lokal i vendosur në via Napo Torriani, Milano.
Autoritetet theksojnë se Stefania Nobile ishte plotësisht në dijeni të aktiviteteve të jashtëligjshme që zhvilloheshin brenda lokalit. Edhe pse formalisht ajo figuronte si punonjëse, hetimet tregojnë se në fakt ajo e menaxhonte lokalin bashkë me ish-partnerin e saj. Hetuesit dyshojnë se ajo ishte përgjegjëse për administrimin e llogarive dhe orientimin e transfertave të parave, kryesisht drejt llogarive të huaja, për t’iu shmangur kontrolleve.
Gjithashtu, hetimet kanë zbuluar se çmimi i shampanjës paguhej për Lacerenza, ndërsa shërbimi seksual drejtpërdrejt për vajzat që punonin aty. Për më tepër, ai sigurohej që klientët të kishin qasje në kokainë, të cilën e konsumonte edhe vetë.
Në qendër të hetimeve tashmë është edhe pista e pastrimit të parave. Dyshohet se Lacerenza ka sjellë një pjesë të fitimeve të tij edhe në Shqipëri, ku synonte të riinvestonte shumat e mëdha të përfituara nga aktivitetet e paligjshme.
Sipas dosjes hetimore, Stefania Nobile, së bashku me nënën e saj, ka vizituar shpesh Shqipërinë, ku asgjë nuk e pengonte që të investonte paratë e fituara në mënyrë të jashtëligjshme, duke u përpjekur t’i justifikonte përmes sipërmarrjeve të reja. Ajo kishte në plan hapjen e një restoranti tjetër në Tiranë, ndërsa transfertat kryesore financiare ishin kryer në dy llogari rrjedhëse të huaja.
Interceptimet telefonike kanë zbuluar se Lacerenza mburrej për zhvendosjen e 80 milionë eurove në Shqipëri me ndihmën e Nobile-s. Në një histori të publikuar në Instagram në prill të vitit të kaluar, ai aludonte për këtë shumë të madhe parash në një postim ku përmendeshin Nobile dhe Marchi gjatë një udhëtimi të tyre në Shqipëri me një Lamborghini Urus.
Në një video të regjistruar më 5 maj, Lacerenza i referohet drejtpërdrejt parave të sjella në Shqipëri nga Marchi. Megjithatë, avokati i Nobile-s, Liborio Cataliotti, ka mohuar çdo përfshirje të saj në shfrytëzimin e prostitucionit, duke këmbëngulur se klientja e tij nuk ka përfituar drejtpërdrejt nga këto aktivitete. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se do të kundërshtojë masën e arrestit shtëpiak për të.