Një denoncim shqetësues është bërë sot nga një pensioniste në Vlorë, e cila u detyrua të pranonte kredinë e banesave sociale për të pastrehët, me standarte të papranueshme dhe pagesa mujore prej gati gjysmën e pensionit të saj.
Në raportimin e dëshpëruar gruaja tregon se tashmë paguan gjysmën e pensionit për qiranë, pa i mbetur gjë për shpenzimet e tjera të jetesës si faturash dritash, uji, ushqime, mjekime apo rregullime të punimeve abuzive në pallatin e të pastrehëve.
Ajo duhet të paguajë kredinë 9500 lekë të reja në muaj nga pensioni i saj prej 26 mijë lekë, ndërsa shton se në kohën e pranimit të banesës ndërtuesit dhe noterët duke abuzuar me situatën e saj, nuk e lejonin të shikonte nga brenda apartamentin pa firmosur e pa paguar 8700 lekë lidhjen e kontratës te noteri.
Dhe rrjedhimisht apartamenti rezultoi me punime të këqija hidraulike, elektrike, lyerjeje e suvatimi, ashtu si dhe me gropa, rrugë të pashtruara e pa kanalizime në ambjentet e jashtme.
Pensionistja tregon se nuk përballon dot blerjen e frutave e perimeve kur një kg patëllxhan kushton 300 lekë, specat 320 lek etj. dhe detyrohet të shkojë në supermarket për të pritur ulje të ushqimeve të skaduara ose pranë afatit të skadimit.
Pensionistët në banesat sociale në Vlorë kërkojnë ndihmë në uljen e kësteve të rënda të kontratës që bëjnë të pamundur mbijetesën , ndërsa ironizojnë shpërblimin e pranverës prej 5000 lekësh të reklamuar nga qeveria, që nuk ka asnjë efekt në lehtësimin e vuajtjes së tyre.
Qytetarja shkruan:
“Jam një qytetare pensioniste nga Vlora. Jetoj shtëpi me qera nga Enti i banesave, çdo muaj kësti është 9500 lekë çdo muaj, për 25 vjet kjo banesë më shumë kemi harxhuar nga kushtet dhe punimet jashtë standartit si hidrauliket, elektriket, suvaja me rërë deti, lagështia, pa ballkon. Kur kërkonim para se të futeshim në Korrik 2008 nuk na jepnin çelsat të shikonim ambientin brënda pa firmosur kontratën dhe pa paguar 87000 leke lidhjen e kontratës. Të detyruar si të pa strehë dhe forcë s’kishim firmosëm pa na u dhamë çelsat . Vlora ku shumica janë pensionist me pension qesharak dhe të pa punë ka pagesën më të lartë, me kushtet mizerabël nga çdo qytet tjetër.
"Kërkojmë të rishikohet pagesa nga ne të sinqertit që paguajmë të ketë një farë ulje. Në këto dy pallatet një pjesë qytetarësh u trajtuan jashtë ligjit ku kishin prona dhe shtëpi të tjera dhe i kanë lëshuar dhe me qera. Rruga para këtyre dy pallateve të verdhë është e amortizuar, ka gropa pasi këtu kalojnë makina të tonazhit të lartë të dy subjekteve të mëdha, kanalizimet ska fare ku është hapur veç një gropë e madhe ku derdhen ujrat e bardha e te dhe fekaleve. Mjerë ne që paguajmë se një pjesë mirë që s’paguajnë por thonë çfar do na bëjë Përmbarimi.
"E ndjej të nevojshme jo vetëm unë por një pjesë e banorëve ku jemi korekt ndaj detyrimeve të Shtetit por dhe Qeveria duhet të rishikoj dhe të bëj diçka për ne pensionistët.
"Veç këtij denoncimi shqetësuese është dhe çmimi pa tavan i perimeve ku nuk afrohemi do të të blejmë, një kg patëllxhan 300 lekë specat 320 lek etj. etj. Shkojmë në supermarket gjasme bëjnë ulje ato ushqime që u ka mbaruar afati ose kanë afat dhe një javë .Ku do mbytet ky milet ne po vdesim këtu ç’e duam atë 5000 mijshen shpërblim ku energjia e Janarit më erdhi 50 mijë lekë ku jam një person pa asnjë të ardhur e vetme, edhe furrë buke të isha s’do vinte fatura kaq. Habitem kur u thonë emigrantëve kthehuni në vëndin tuaj, lini ato që me mund dhe djersë i keni bërë se do ja u shtrojmë fushë me lule.”
“26000 mijë pensioni, 9500 qeraja, 2000 int , cel + Dritat , uji, fatura e uji vjen 7 mijë lek, aq sa harxhoj jam me sahat. Ndonjë ilaç shtesë që paguajmë. Llogarit detergjentet. Çfar ngelen për bukë apo zarzavate , ushqime ??? As lekë për ndonjë kafe me shoqërinë nuk ngelet. Pale për gëzime dhe vdekje bëjmë sikur s’kemi marrë vesh.”