Edhe pse kanë kaluar pesë vjet nga tërmeti shkatërrues, banorët e Krujës ende presin të futen në apartamentet e reja që iu premtuan. Një qytetar na shkruan se ndërtesat e reja, të cilat sipas mesazhit që na ka dërguar janë përfunduar prej të paktën një viti, vijojnë të mbeten të pabanuara, ndërsa shumë familje vazhdojnë të jetojnë me qira, pa marrë më as bonusin e qirasë prej më shumë se dy vjetësh.
Sipas denoncimit që ka mbërritur në redaksinë tonë, procesi i shpërndarjes së apartamenteve është bllokuar pa asnjë shpjegim të qartë. Qytetari shprehet se u ishte premtuar se shpërndarja do të bëhej para zgjedhjeve, por deri tani nuk ka pasur asnjë veprim konkret. Ai ngre shqetësimin se, megjithëse pallatet janë gati, askush nuk po i dorëzon çelësat dhe nuk dihet se çfarë po ndodh me këtë proces.
Qytetari thekson gjithashtu se kryeministri Edi Rama ka vizituar Krujën dy herë për të prerë shiritin e kuq të objekteve të rindërtuara, por banorët ndihen të braktisur, pasi në realitet askush nuk është futur ende në shtëpitë e reja.
Tashmë, në prag të fushatës elektorale, ky ngërç vetëm sa shton dyshimet se procesi po vonohet me qëllim që të përdoret si kartë elektorale.
Mesazhi i plotë:
“Prsh si jeni 🙋♂️ par zotin se vetem ju mund tbeni noi gje per ne qytetaret e krujes se jemi ne 2025 edhe akoma nuk jan shperndar apartamentet e termetit ishin fjalet se gjasme do i shperndajn perpara zgjedhjeve por dhe kte spo e bejn. Pallatet kan koh qe jan mbaruar komplet ka te pakten nje vit ose me shum qe nuk punon njeri. Edi rama ka ardhur dy her qe ka prer sheritin e kuq kot pa lidhje sepse akoma njerzit jan jasht me qera edhe bonus ka me shum se dy vite qe sjapin. Kemi 5 vite qe rrim me qera por tani me e keqa esht se kan mbaru pallatet por thjesht nuk I derzojn nuk e di se ca plani kan ca po bluajn ato ne bashki 🤷♂️ ju lutem bejeni nje lajm per kte se hall te madh kemi por tlutetem anonim emrin tim 🙏🙏🙏 se sdu tkem probleme 🙏🙏🙏”.