Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) është një prej institucioneve më të rëndësishme në Bashkinë Tiranë dhe një nga pikat më të nxehta të korrupsionit pasi përmes një mekanizmi të mirëpërcaktuar, tenderët e këtij institucioni janë bërë një burim i madh përfitimi për një rrjet të organizuar zyrtarësh dhe biznesesh që janë pranë Bashkisë.
Pasi ish-drejtori i përgjithshëm, Elton Kacidhja doli në përgjimet dhe dosjet e kompanisë "5D", Erion Veliaj për të shmangur përfshirjen e Bashkisë në këtë skandal bëri një rokadë drejtuesish. Më 25 tetor 2024, Veliaj emëroi Elda Muçin në krye të UKT, por kjo kjo nuk zgjati shumë pasi pa kaluar as një muaj, Elda Muçi u zëvendësua me një tjetër emër të besuar të kryetarit, Kostandin Budurushi.
Budurushi i cili deri para pak muajve ka qenë drejtor te Emergjencat Civile në Bashkinë Tiranë, njihet për besnikërinë e madhe ndaj Veliajt, tanimë të arrestuar, por edhe ish-drejtorëve të "5D-së".
Gjatë kohës që drejtonte Emergjencat, ai akuzohet se ka bërë falsifikime mbi akt ekspertizat për vlerësimin e pallateve, në mënyrë që të shembeshin e të përfitonin hienat e tjera të bashkisë dhe oligarkët mbështetës. Edhe pse për këto shkelje e akuza, Budurushi është kallëzuar në SPAK, dosja e tij qëndron mes pluhurit e pa prekur për hetime, dhe ai vazhdon me shkeljet e tjera në institucionin e radhës që drejton, UKT.
JOQ ALBANIA ka mësuar se me arrestimin e Veliajt, por edhe me ardhjen e fushatës zgjedhore, Budurushi po mbush arkën e UKT-së me tendera fiktivë, me flamuj të kuq dhe tepër të diskutueshëm.
Më 31 dhjetor 2024, Budurushi ka shpallur tenderin me vlerë 165 milionë lekë, për ruajtjen dhe shoqërimin e vlerave monetare që kjo shoqëri grumbullon nga faturat. Ky tender i zhvilluar me negociim të drejtpërdrejtë, pa konkurrencë, ka shkuar në favor të kompanisë “Breçani R.O.S.P Sh.p.k”, e lidhur me Erzen Breçanin, ish-kryepolic dhe i arrestuar me masë penale “Arrest Shtëpie” nga SPAK, për akuza lidhur me grup të strukturuar kriminal, trafik droge, pastrim parash dhe organizim vrasjesh.
Por jo vetëm kaq pasi më 3 shkurt 2025, Budurushi i ka lidhur kontratë kompanisë “FILARA” shpk me pronar Florjan Xhemalajn për “Trajnime Stafi për Ukt sh.a.”, ku burimi i financimit janë të ardhurat e UKT sh.a dhe vlera e kontratës shkon në afro 75 milionë lekë.
Lista e tenderave me flamuj të kuq vazhdon, por nëse do ndalemi te angazhimi për zgjedhjet e 11 majit, duhet të themi se Budurushi dhe drejtoresha e burimeve njerëzore në UKT Anisa Peto, po bëjnë namin me emërime fiktive patronazhistësh për të siguruar sa më shumë vota. Burime të afërta bëjnë me dije se brenda një dite, kjo dyshe 'e çmendur për vota' kanë bërë 40 ndryshime e largime, për të emëruar sa më shumë patronazhistë në shërbim të partisë.
Këto veprime fiktive të drejtorit të UKT-së kanë shqetësuar punonjësit e këtij institucioni, pasi vendi i tyre i punës është në fije të perit pasi zgjedhjet kanë ashpërsuar situatën te punonjësit e administratës, që deri më tani kanë qenë nën presionin e plotësimit të sa më shumë listave për votat e Diasporës.