Një shpërthim ka ndodhur gjatë natës në lagjen Ish-Grumbullimi, në Fushë-Krujë, ku një sasi eksplozivi prej rreth 200 gramësh është vendosur në pjesën e jashtme të një fabrike sallami, e cila i përket shtetasit D.M.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, pasi në momentin e ngjarjes nuk ndodhej askush në fabrikë.
Fabrika është një biznes familjar, i cili operon prej 30 vitesh dhe është drejtuar nga anëtarët e familjes së shtetasit D.M. Sipas informacioneve paraprake, pronari nuk ka raportuar konflikte apo probleme të mëparshme që mund të kenë ndikuar në këtë ngjarje.
Ende nuk dihen shkaqet dhe autori i shpërthimit, i cili ka tronditur pronarët e fabrikës dhe banorët e lagjes. Autoritetet janë duke hetuar për zbardhjen e këtij incidenti dhe për të mësuar arsyet që mund të kenë çuar në vendosjen e eksplozivit.