Kryeministri Edi Rama ka bërë deklarata sensacionale nga Panairi i Punës në Athinë, duke ftuar emigrantët shqiptarë të kthehen në Shqipëri, pasi – sipas tij – pagat në vend janë më të larta se në Greqi. Në një nga "perlat" e tij, Rama pohoi se një shofer në Shqipëri merr 1,200 euro në muaj, një shifër që, për këdo që jeton në realitet, tingëllon më shumë si një hallucinacion sesa si fakt. Për më tepër, sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare bruto në Shqipëri është 77.669 lekë (rreth 780 euro), këtu natyrisht nuk janë llogaritur tatimet që mbahen nga paga, pas të cilave qytetarit i ngelin në xhep akoma më pak lekë.
Nëse ndjekim këtë logjikë, atëherë duhet të pyesim veten: Çfarë bari pi Edi Rama? Dhe a mund ta pimë edhe ne, që të shohim të njëjtat rroga që sheh ai? Sepse në realitetin shqiptar, një shofer paguhet mesatarisht 400-500 euro, e në rastin më të mirë ndoshta arrin 600 euro.
Në të njëjtën deklaratë, Rama ftoi shqiptarët të linin punët e tyre në Greqi dhe të ktheheshin në atdhe, me premtimin se do të jetonin më mirë. Po të ishte kaq e thjeshtë, Shqipëria do të ishte plot me të rikthyer, e jo me të rinj që radhiten çdo ditë në sportelet për viza pune në Gjermani, Itali e gjetkë.
Me sa duket, kryeministri jeton në një Shqipëri paralele, ku pagat janë evropiane, mundësitë të pafundme dhe emigrantët mezi presin të kthehen. Për fat të keq, shumica e shqiptarëve nuk e shohin këtë Shqipëri, ndoshta sepse nuk kanë pirë të njëjtin "bar" që ka provuar Rama.
Prandaj pyetja që shtrohet është e thjeshtë: Çfarë bari pini ju zoti Rama, që të kemi mundësi ta blejmë edhe ne e të kalojmë në delir të gjithë së bashku?