Raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë ka nxjerrë në pah sfidat dhe optimizmin e sektorëve kryesorë të ekonomisë. Mungesa e fuqisë punëtore po ndikon ndjeshëm në besimin e sektorit të turizmit dhe ndërtimit, ndërsa tregtia, industria dhe konsumatorët kanë shfaqur më shumë optimizëm për të ardhmen ekonomike.
Sipas raportit, besimi në sektorin e shërbimeve, përfshirë turizmin, ka rënë me 1.4% në shkurt, si pasojë e vështirësive për të siguruar staf përpara nisjes së sezonit turistik. Mungesa e punonjësve ka ndikuar gjithashtu në sektorin e ndërtimit, ku besimi ka pësuar një rënie prej 2.1%, duke shënuar një trend negativ për tre muaj radhazi. Bizneset raportojnë një ngadalësim të aktivitetit dhe parashikojnë rënie të çmimeve.
Nga ana tjetër, tregtia ka shënuar rritje të besimit me 3.2%, falë zgjerimit të aktivitetit dhe pritshmërive për çmime më të ulëta.