Është e qëllimshme? Prokuroria e Durrësit po bllokon hetimet për mbetjet toksike!           

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.03.2025, 18:34

Pas 12 javësh nga mbërritja e anijes turke Moliva në Durrës, që transportonte 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara toksike, organizatat mjedisore Basel Action Network (BAN) dhe Milieukontakt Albania kanë ngritur alarmin për mungesën e transparencës dhe bllokimin e hetimeve nga autoritetet shqiptare. Kontejnerët, të cilët u kthyen nga Singapori pas ndërhyrjes së autoriteteve të Tajlandës dhe Singaporit, janë sekuestruar nga Prokuroria e Durrësit, por deri tani nuk ka asnjë informacion konkret mbi përparimin e hetimeve.

Sipas organizatave, një nga burimet e mundshme të mbetjeve mund të jetë fabrika e çelikut “Kurum” në Elbasan, por mungesa e analizave të pavarura dhe procesit të hetimit publik ka shkaktuar shqetësim. Jim Puckett nga BAN theksoi se është e papranueshme që ky rast të injorohet dhe të harrohet, duke theksuar se trafikimi i paligjshëm i mbetjeve të rrezikshme është një çështje serioze që kërkon ndëshkime penale.

Prokuroria e Durrësit është kritikuar për bllokimin e hetimeve, pasi refuzoi të pranonte dëshminë e ofruar nga BAN, e cila përmbante prova dhe fotografi që tregonin ndotje të lartë në objektet pritëse të mbetjeve. Për më tepër, kërkesa e BAN për analizën e mbetjeve nga laboratorë të pavarur evropianë u injorua, duke ngritur dyshime për mënyrën se si po menaxhohet ky rast.

Në kushte të këtij mungese transparence, BAN dhe Milieukontakt Albania kërkojnë veprime urgjente nga autoritetet shqiptare. Ata kërkojnë sqarime mbi arsyet e refuzimit të dëshmisë dhe kërkojnë publikimin e analizave të mbetjeve dhe origjinës së tyre. Po ashtu, ata kërkojnë nisjen e hetimeve penale dhe garantimin që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit