Kush është Aldi, që bëri lëmsh drejtësinë?

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.03.2025, 16:43

Një tjetër zhvillim tronditës ka dalë në dritë lidhur me dyshimet për përgjime të paligjshme nga SPAK ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas burimeve mediatike, Aldi Zyba, hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka qenë përgjegjës për ndjekjen dhe vëzhgimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë Gent Ibrahimin dhe kryetaren Holta Zaçaj.

Kush është Aldi Zyba? Aldi Zyba u emërua hetues i BKH-së në vitin 2021, pas një karriere të nisur në Drejtorinë e Tatimeve dhe më pas në Agjencinë e Trajtimit të Pronave. Para emërimit në BKH, ai ka shërbyer edhe si komisioner zgjedhor i Partisë Socialiste, së bashku me të atin, Aleks Zyba, një ushtarak i njohur.

Si ndodhi përgjimi? Sipas informacioneve, Zyba drejtoi një grup hetuesish dhe oficerësh të Policisë së Tiranës në një operacion përgjimi të zhvilluar ndaj gjyqtarëve kushtetues, pa vendim gjykate, por vetëm me një autorizim prokurori. Pjesë e përgjimeve ishte edhe avokati Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë, i cili përfaqëson biznesmenin P. Gj. në një çështje gjyqësore të rëndësishme.

Operacioni përfshinte përgjime ambientale dhe vendosjen e pajisjeve të fshehta në mjedise ku qëndronin gjyqtarët dhe personat e tjerë të përfshirë. Megjithatë, duket se operacioni është dekonspiruar, pasi vetë gjyqtarët janë vënë në dijeni për ndjekjen e tyre, duke ngritur dyshime mbi një rrjedhje informacioni.

SPAK mohon akuzat! Pas daljes së lajmeve për përgjime, kreu i SPAK, Altin Dumani, ka reaguar duke mohuar çdo pretendim për ndjekjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ai ka deklaruar se nuk ekziston asnjë kallëzim apo hetim ndaj gjyqtarëve të GJK-së dhe se SPAK nuk ka autorizuar asnjë përgjim të tillë.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse do të ketë një hetim të pavarur mbi këto pretendime dhe nëse Aldi Zyba ka vepruar me urdhër të drejtpërdrejtë të SPAK apo të ndonjë strukture tjetër.

A është ky një tjetër skandal i institucioneve të drejtësisë? A do të ketë reagim nga Gjykata Kushtetuese dhe institucionet e tjera? Çështja mbetet e hapur dhe pritet të zhvillohet më tej në ditët në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit