Një taksi është ndëshkuar me masë administrative prej 14 000 lekësh pasi u konstatua duke lëvizur në një korsi të dedikuar për biçikleta. Rasti u bë i njohur pas publikimit të një videoje nga redaksia jonë “JOQ”, çka çoi në ndërhyrjen e shërbimeve të qarkullimit rrugor.
Në njoftimin e policisë thuhet se pas verifikimeve të kryera, drejtuesi i taksisë, shtetasi A. L., u identifikua dhe u shoqërua në ambientet e policisë për veprimet e mëtejshme procedurale. Në përfundim të tyre, ndaj tij u vendos gjoba në bazë të neneve 71/5, 101/7 dhe 144/2 të Kodit Rrugor.
Njoftimi i policisë:
“❌❌Lëvizi me taksi, në korsi të biçikletave, ndëshkohet me masë administrative 14 000 lekë, drejtuesi. Në lidhje me një video të publikuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqet një taksi duke lëvizur në një korsi të dedikuar për biçikleta, sqarojmë se: Menjëherë pas publikimit të videos, shërbimet e qarkullimit rrugor kanë kryer veprimet e nevojshme procedurale për rastin, dhe si rezultat i tyre është identifikuar drejtuesi i taksisë që shfaqet në video, shtetasi A. L.. Ky shtetas, së bashku me automjetin, janë shoqëruar në ambientet e Policisë. Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi A. L. është ndëshkuar me masë administrative 14 000 lekë, për shkelje të neneve 71/5, 101/7 dhe 144/2 të Kodit Rrugor.🚨Policia Rrugore e Tiranës falënderon median dhe qytetarët, për denoncimin e rasteve, dhe i fton që të vijojnë të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Reagimi i Policisë do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjit.”