Profesionistët e vetëpunësuar, pra ata që nuk marrin rrogë fikse nga një punëdhënës, do të taksohen 13 deri në 23% sipas të ardhurave, nëse i fitojnë ato nga 3 ose më pak klientë, njoftojnë zyrtarët e tatimeve shqiptare.
Profesionistët e lirë iu gëzuan fillimisht rrëzimit të pjesshëm të ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe i shpëtuan tatimit prej 23% në vitin 2024, por këtë vit do të duhet të paguajnë njësoj si të punësuarit nëse “80-90% të të ardhurave të tyre i kanë nga më pak sesa 3 klientë”, thonë tatimet.
Ata raportohet se “preken nga një nen tjetër i ligjit që nuk u është shfuqizuar", i cili parashikon që të vet-punësuarit e profesioneve të lira që sigurojnë 80% të të ardhurave bruto nga 1 klient apo 90% të tyre nga më pak se 3 klientë, do t’u tatohen të ardhurat neto nga 13 deri 23%.
Administrata tatimore nëpërmjet një mesazhi dërguar subjekteve ka sqaruar se detyrimi për deklarimin dhe llogaritjen e tatimit nis nga 1 janari 2025. Për këtë kategori tatimi për t’u paguar do të llogaritet për efekt të periudhës tatimore 2024.
“Ju bëjmë me dije se më datë 04.02.2025 nga Ministria e Financave është publikuar udhëzimi, të cilin e gjeni në atach, ku në pikën 3 të Udhëzimit deklarohet se të ardhurat e realizuara nga të vetëpunësuarit me 80% të të ardhurave nga i njëjti klient, do të konsiderohen si të ardhura nga punësimi dhe do të tatohen 13 dhe 23% sipas limiteve”, thuhet në njoftimin e tatimeve dërguar bizneseve, për t’ia kaluar kontraktorëve të tyre të vetëpunësuar.
Prej debateve që shkaktoi moszbatimi korrekt i ligjit të mëparshëm, më 27 Qershor 2024, Gjykata Kushtetuese, morri vendimin për rrëzimin e nenit 69, që parashikonte nisjen e tatimit 15% te profesionet e lira nga 1 janari 2024.
Por zyrtarët thonë se “mbeti i pandryshuar zbatimi i ligjit për profesionet e lira të cilat 80 deri 90% të të ardhurave bruto i siguronin nga 1 deri në 3 klientë”, cila justifikon veprimin aktual për këtë kategori të punësuarish.