Banorët e fshatit Tragjas në Vlorë kanë dalë masivisht në protestë kundër projektit të Agjencisë së Ujësjellës-Kanalizimeve mbi marrjen e burimeve të ujit të zonës për të furnizuar resortet në bregdetin e Dhërmiut.
Ata janë përpjekur të ndalojnë punimet dhe kjo ka sjellë përplasje verbale dhe fizike me efektivët e shumtë në vendngjarje.
Ata kërkojnë që uji nga lumi Izvor të mbetet në shërbim të komunitetit, pasi pretendojnë se aktualisht në banesat e tyre e kanë ujin me orar.
Përplasje ka patur edhe me zyrtarët e ujësjellësit që kanë shkuar për të prishur disa godina që preken nga projekti.
“Nuk i kemi lejuar dhe nuk do të lejojmë që mjetet e rënda të punojnë për të shtruar tubacionet për marrjen e ujit. Do ta ndjekim çështjen si nga ana ligjore dhe burrërore” – tha një prej banorëve, duke shtuar se në një takim sqarues me autoritetet ishin përballur me forcat te shumta të policisë.
Kjo nuk është hera e parë që banorët protestojnë për devijimin e ujit nga autoritetet teksa javën e kaluar ata protestën e zhvendosën në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku hodhën akuza ndaj kryebashkiakut Ermal Dredha.
E vetmja përgjigje që morën ishte ajo e një këshilltareje socialiste, e cila me arrogancë iu kërkoi që të mos bërtisnin, duke thënë se ‘nuk do i lërë njeri pa ujë’.
Projekti i Agjencisë Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, në varësi të ministres Belinda Balluku, akuzohet se kërkon të furnizojë me ujë “investitorët strategjikë” duke ua hequr banorëve vendas.
Ndërhyrja në zonën e Tragjasit, kërkon të furnizojë me ujë zonat bregdetare Rradhimë, Orikum, Dhërmi, Palase, Ilias, deri në Himarë, sipas autoriteteve.