Një tjetër problem skandaloz është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania nga një student, i cili ka tentuar të aksesojë diplomën e maturës 2023, por sistemi i e-Albania nuk ia lejon.
Sikur të mos mjaftonte kjo, email-et që supozohet të ndihmojnë studentët për të marrë diplomat ose të aplikojnë për universitet, nuk ekzistojnë fare dhe mesazhet dërguara aty kthehen mbrapsht.
Sipas studentit denoncues, pavarësisht se në e-Albania thuhet që diplomat do të ruhen në sistem pa afat, realiteti është krejt ndryshe. Kjo situatë është një pengesë serioze për maturantët që duan të ndjekin studimet, veçanërisht për ata që aplikojnë jashtë Shqipërisë.
Më poshtë denoncimi i plotë nga studenti:
"Përshëndetje JOQ, uroj të jeni mirë! Doja të denoncoja një situatë skandaloze me sistemin e-Albania. Ndërkohë që mundohen të modernizojnë proceset, asgjë s’është funksionale! Po kërkoj të gjej diplomën e maturës për vitin 2023 dhe nuk rezulton në sistem, edhe pse aty thuhet që ‘do mbahet në sistem pa afat’. Ka disa opsione email që NUK EKZISTOJNË! Nuk di çfarë zgjidhje mund të ketë për studentët që duan të vazhdojnë studimet (dhe jashtë Shqipërisë) kur diplomat nuk i aksesojnë dot."
Ky nuk është rasti i parë i problemeve me platformën e-Albania, e cila për mirëmbajtjen e saj kushton miliona lekë çdo muaj, por realiteti i saj është për të vënë duart në kokë.
Si është e mundur që pas kaq shumë investimesh, studentët nuk mund të marrin as diplomat e tyre? A ka një zgjidhje për këtë problem? Apo duhet pritur pafund derisa dikush të zgjohet nga gjumi?!