Pesë punonjës të Microsoft u përjashtuan nga një takim me CEO-n e kompanisë, Satya Nadella, pasi protestuan kundër kontratave të kompanisë për ofrimin e shërbimeve të inteligjencës artificiale dhe cloud computing për ushtrinë izraelite.
Incidenti ndodhi të hënën, disa ditë pasi Associated Press publikoi një investigim që zbulonte se modelet e avancuara të AI nga Microsoft dhe OpenAI ishin përdorur nga ushtria izraelite për të përzgjedhur objektivat e bombardimeve në konfliktet e fundit në Gaza dhe Liban. Raporti përfshinte gjithashtu detaje mbi një sulm të gabuar ajror në 2023, ku një makinë me anëtarë të një familjeje libaneze u godit, duke vrarë tre vajza të vogla dhe gjyshen e tyre.
Protesta ndodhi gjatë një takimi në kampusin e Microsoft në Redmond, Washington, ku Nadella po prezantonte produkte të reja. Pesë punonjës, të pozicionuar rreth 5 metra larg tij, hapën bluzat e tyre, duke zbuluar një mesazh që, kur qëndronin bashkë, formonte pyetjen: "A vriten fëmijët nga kodet tona të programimit, Satya?"
Pamjet dhe videot e incidentit, të transmetuara live brenda kompanisë, tregojnë se Nadella vazhdoi të fliste pa e komentuar protestën. Dy persona të sigurisë u afruan dhe i shoqëruan protestuesit jashtë sallës.
Microsoft reagoi përmes një deklarate për Associated Press:
"Ne ofrojmë shumë mënyra për t'u dëgjuar të gjitha zërat. Megjithatë, kërkojmë që kjo të bëhet pa ndërprerje të biznesit. Në rast të kundërt, kërkojmë që pjesëmarrësit të largohen nga ambienti."
Kur Microsoft u pyet nëse punonjësit protestues do të përballeshin me masa disiplinore, kompania nuk dha asnjë përgjigje. Po ashtu, kompania kishte refuzuar më parë të komentonte mbi raportin e AP për kontratat e saj me ushtrinë izraelite.
Prej muajsh, një grup punonjësish ka shprehur shqetësime mbi kontratat e Microsoft me ushtrinë izraelite, të cilat përfshijnë përdorimin e platformës Azure për cloud computing.
Raporti i AP, bazuar në të dhëna dhe dokumente të brendshme, zbuloi se përdorimi i modeleve të AI nga ushtria izraelite përmes Azure u rrit gati 200 herë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.