Çfarë e pret Evropën? Pasojat e mundshme të tërheqjes së trupave amerikane

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 03.03.2025, 19:29

Sipas The Washington Post, tre diplomatë evropianë kanë deklaruar se Shtetet e Bashkuara mund të tërheqin rreth 20,000 trupa nga Evropa. Këto forca u dislokuan nga administrata e presidentit Joe Biden pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, si një përforcim i mbrojtjes së aleatëve të NATO-s. Një diplomat i NATO-s tha se nuk do të ishte surprizë nëse trupat kthehen në bazat e tyre në SHBA, duke argumentuar se vendosja e tyre ishte pjesë e një plani emergjent dhe mund të shihet si një rikthim në normalitet.

Sekretari i ri i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka theksuar se ruajtja e sigurisë evropiane duhet të jetë një përgjegjësi e vetë vendeve anëtare të NATO-s. Ai paralajmëroi se prania ushtarake amerikane në Evropë nuk mund të konsiderohet e përhershme dhe se vendimet mbi këtë çështje do të jenë pjesë e diskutimeve të ardhshme midis administratës së Donald Trump dhe aleatëve të saj.

Një tërheqje e trupave amerikane mund të ketë pasoja për sigurinë evropiane. Ekspertët vlerësojnë se ndikimi do të varet nga numri i trupave që do të tërhiqen dhe shpejtësia e këtij procesi. Një reduktim i ndjeshëm i pranisë amerikane në Evropë mund të lërë vendet lindore të NATO-s, veçanërisht ato që ndodhen afër Rusisë, më të cenueshme ndaj kërcënimeve të mundshme.

Gjithashtu, diplomatët nënvizojnë se prania ushtarake amerikane në kontinent nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e Evropës, por edhe me projektimin e fuqisë amerikane dhe ruajtjen e interesave strategjike të Uashingtonit.

Liderët evropianë kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë çështje, duke kërkuar që çdo tërheqje e mundshme të mos jetë rezultat i negociatave midis SHBA-së dhe Rusisë. Friedrich Merz, kandidat për kancelar të Gjermanisë dhe lider i Unionit Kristian Demokrat, deklaroi se Evropa duhet të përgatitet për të garantuar sigurinë e saj, pasi Donald Trump mund të mos mbështesë më pa kushte angazhimet e NATO-s.

Disa analistë paralajmërojnë se, nëse vendet evropiane vendosin të dërgojnë trupa në Ukrainë, kjo do të vështirësonte më tej përpjekjet e SHBA-së për të ruajtur ekuilibrin ushtarak në rajone të tjera. Gjithashtu ata shtojnë se janë të rëndësishme negociatat që priten të ndodhin në të ardhmen midis administratës Trump dhe aleatëve të Nato-s.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit