Një minorene ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania një sjellje të papërshtatshme nga një motorist i kompanisë Wolt, e cila operon në Shqipëri si një nga platformat e shpërndarjes së ushqimit. Sipas denoncueses, motoristët e kësaj kompanie nuk respektojnë kufijtë profesionalë dhe shpeshherë flirtojnë me klientet gjatë dorëzimit të porosive. Më shqetësuese është fakti se ky fenomen ndodh edhe kur klientja është minorene.
Në mesazhin e mbërritur në redaksi, e mitura shprehet:
"Përshëndetje JOQ! Doja të bëja një ankesë në lidhje me motoristët e Wolt-it dhe mënyrën se si flasin apo flirtojnë me klientet, sidomos kur klientja është minorene! Pasi i çova lokacionin në WhatsApp, sepse nuk dinte si të orientohej, më shkroi fillimisht për porosinë dhe më pas më tha: ‘Më fal, je shumë e bukur’.”
Ky denoncim ngre një shqetësim serioz mbi etikën dhe profesionalizmin e punonjësve të Wolt-it, të cilët, përveçse kanë detyrën për të shpërndarë ushqim, duhet të respektojnë edhe një sjellje të përshtatshme me klientët. Raste të tilla mund të jenë shqetësuese për shumë persona, veçanërisht për vajzat e mitura, të cilat mund të ndihen të rrezikuara apo të vëna në siklet.
A ka masa nga kompania Wolt për të parandaluar raste të tilla? Si po monitorohet sjellja e punonjësve të tyre në terren? Denoncime të tilla tregojnë nevojën për një rregullore më të rreptë dhe ndëshkime për ata që nuk respektojnë etikën profesionale.