Ka nisur sot shpërndarja e ‘bonusit të pranverës’ për pensionistët shqiptarë, i reklamuar nga kryeministri i vendit si “rritje e të ardhurave” për pensionistët më të varfër të rajonit.
Por në fakt ky shpërblim vjen vetëm dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme dhe duket qartë se është një tentativë e dëshpëruar joshjeje e pushtetit, duke menduar se kjo shtresë do të harrojë talljen dhe situatën ku e kanë katandisur politikat aktuale.
Ministria e Ekonomisë tha se deri tani e kanë tërhequr këtë bonus 22718 pensionistë në të gjithë Shqipërinë.
“Bonusi mund të tërhiqet deri më 30 Shtator 2025, pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe Bankave të Nivelit të Dytë”, njoftoi ministri Blendi Gonxhe, në rrjetin social Facebook.
Bonusi prej 10 mijë lekë shpërndahet për pensionet bazë deri në 20,000 lekë, dhe në vlerën 5 mijë lekë për pensionet mbi 20 mijë lekë.
Në shifra, llogaritet se janë 520 mijë të moshuar që do të marrin nga 10 mijë lekë dhe pjesa tjetër 210 mijë, do të marrin gjysmën e kësaj vlere.
Qeveria ka premtuar të bëjë traditë këtë shpërblim, sikundër ka vepruar edhe gjatë festave të fund-vitit, por ka provuar shpesh se premtimet se saj dhe realiteti janë shumë larg.