Policia e Bielefeldit të Gjermanisë ka njoftuar sot se është dorëzuar në komisariat motra e boksierit të vrarë nga Mitrovica, Besar Nimani, e cila kërkohej si e dyshuar në atentatin ndaj autorëve të vrasjes jashtë seancës së gjyqit.
33-vjeçarja ishte shpallur në kërkim disa ditë më parë pasi dyshohet se ishte një nga autorët e sulmit në gjykatën gjermane ndaj famijarëve të dyshuarit kryesor të vrasjes së boksierit.
“Një grua 33-vjeçare nga Bielefeld, e kërkuar nga policia dhe prokuroria publike në bazë të një urdhër-arresti, është vetëdorëzuar në policinë e Bielefeldit, e shoqëruar nga avokati i saj”, shkruhet në njoftimin e policisë.
33-vjeçarja nuk e ka pranuar fajësinë dhe është dërguar në paraburgim.
Ndërsa nga sulmi janë plagosur 4 persona që raportohet se janë në gjendje të qëndrueshme.
Seanca e të mërkurës në gjykatën e Bielefeld nisi në ora 9:00 ndërsa sulmi me armë i dyshuar si hakmarrje, ndodhi pas orës 13.00.
Boksieri nga Kosova, Besar Nimani u vra më 9 mars 2024 në qytetin e Bielefeldit në një përplasje të dyshuar mes bandave kriminale.