Ndotja nga fabrika e tullave në Maminas, banorët: Kancer i gjallë për ne

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 03.03.2025, 13:33

Banorët e fshatit Borakë, vetëm 1 km larg fabrikës së tullave në Maminas, po jetojnë çdo ditë mes ndotjes dhe rrezikut për shëndetin e tyre. Prej vitesh, ata ankohen për ndotjen e madhe që kjo fabrikë shkakton në zonë, por askush nuk ka ndërhyrë për ta ndalur këtë situatë alarmante.

Një qytetar ka dërguar një denoncim në redaksinë tonë duke përshkruar realitetin e përditshëm të banorëve, të cilët po përballen me ndotje të rëndë ajrore dhe ndikime të rënda në shëndetin e tyre.

“Ndotja e mjedisit kërcënon jo vetëm shëndetin e njeriut, por shkakton edhe dëme serioze. Tymi dhe pluhuri që çlirohet nga fabrika është një rrezik i vazhdueshëm për mushkëritë tona. Po thithim helm çdo ditë! Kjo është një katastrofë e vërtetë, një kancer i gjallë për ne që jetojmë këtu,” shprehet qytetari.

Sipas banorëve, ndotja nga kjo fabrikë nuk ka të ndalur, dhe asnjë institucion nuk ka ndërmarrë masa për të monitoruar apo kontrolluar ndikimin e saj në mjedis dhe në shëndetin e komunitetit. Fëmijët dhe të moshuarit janë më të rrezikuarit, pasi ekspozimi i vazhdueshëm ndaj grimcave të dëmshme dhe tymit ndikon drejtpërdrejt në aparatin respirator.

“Ne e kemi ngritur zërin, kemi ankuar, por askush nuk na dëgjon. Po e vrasin këtë zonë, dhe askush nuk mban përgjegjësi. Shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht para se të jetë tepër vonë!” – vijon qytetari në denoncimin e tij.

Banorët kërkojnë nga autoritetet përkatëse të ndërhyjnë sa më parë për të kontrolluar dhe minimizuar ndotjen e shkaktuar nga kjo fabrikë. Ata theksojnë se nuk do të ndalen derisa të marrin një përgjigje dhe një zgjidhje për këtë problem madhor që po dëmton jetën dhe të ardhmen e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit